Sot e nesër temperaturat mbi 40 gradë, mos dilni pa nevojë nga shtëpia
Shkup, 18 gusht – Valë e nxehtë me temperatura edhe mbi 40 gradë do ta përfshijë vendin sot dhe nesër. Në të gjithë territorin e shtetit do të jetë aktiv niveli i portokalltë i rrezikut nga temperaturat e larta.
Të premten gjatë natës do të ketë rritje të vranësirave me paraqitjen e reshjeve të herëpashershme.
Edhe pse kemi një klimë mesatare-kontinentale dhe submesdhetare, sipas sinoptikanëve kushtet e motit të cilat i kemi këtë verë – temperaturat e larta dhe reshjet – u ngjajnë kushteve klimatike tropikale.
Klima tropikale karakterizohet me temperatura të larta që arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Bie shi çdo ditë, kryesisht në orët e pasdites dhe shpesh ka edhe mot të keq.
Dita në të cilën temperatura e ajrit është më e lartë se 30 gradë Celsius është ditë tropikale. Kjo është karakteristikë për zonat me klimë tropikale dhe subtropikale, por gjatë verës ditë të tilla regjistrohen edhe në rajone me klimë mesatare-kontinentale.
Në rast se temperatura e ajrit mbetet ose është më e lartë se 25 gradë gjatë natës, atëherë është natë tropikale, shpjegojnë sinoptikanët.
Valët ekstreme të të nxehtit sivjet e kanë përfshirë hemisferën veriore të tokës, ndërsa veçanërisht Evropën, e cila po përjeton një nga verat më të nxehta, duke thyer rekorde shumëvjeçare të temperaturave.
Sipas rrjetit të informacionit për parashikim të motit dhe klimës Climatebook, qershori i këtij viti ishte qershori i dytë më i ngrohtë në Evropë dhe qershori i tretë më i ngrohtë në nivel global që nga viti 1981.
Devijimi mujor i temperaturës në Evropë ka qenë +2,04°C krahasuar me vlerën mesatare në periudhën 1981-2010 dhe +1,57°C krahasuar me periudhën 1991-2020. Vlerat përkatëse globale kanë qenë +0,48°C dhe +0,30°C.
Në Evropë, vala e të nxehtit konsiderohet si më e keqja në 200 vitet e fundit, duke shkaktuar zjarre në Spanjë, Portugali, Francë, Greqi. Temperaturë rekorde mbi 40 gradë është regjistruar në Francë dhe Britani të Madhe.
Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në rajonet klimatike mesatare në Evropë, madje edhe qëndrimi në ambient të mbyllur këtë verë nuk mjafton që të shmangen temperaturat e larta të rrezikshme. Shtëpitë në këto zona janë dizajnuara për të mbajtur ngrohtësinë gjatë dimrit dhe nuk kanë ajër të kondicionuar. Në Britaninë e Madhe, sipas raporteve nga shërbimet meteorologjike të atjeshme, çdo e pesta shtëpi është nxehur gjatë gjatë verës.
Valët e të nxehtit në Evropë po e përkeqësojnë edhe situatën me krizën energjetike. Ndërsa amvisëritë dhe objektet afariste i kyçin kondicionerët e tyre, kërkesa për energji elektrike po rritet, ndërsa rriten edhe çmimet e energjisë në kushte ne qasje të kufizuar në energjensa për shkak të luftës në Ukrainë.
Moti i nxehtë shoqërohet edhe me thatësirë e cila po përhapet në të gjithë Evropën, që shkakton probleme në bujqësi, komunikacionin lumor dhe prodhimin e hidroenergjisë.

