Skandal në Patra/ Drogë nga Tajlanda, shqiptar dhe grekë pas hekurave

Tre persona, dy shtetas grekë nga Patra dhe një shqiptar, janë arrestuar gjatë një operacioni të Departamentit të Narkotikëve pranë Nëndrejtorisë së Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve në Patra, nën akuzën e trafikut dhe importit të drogës nga jashtë.
Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa po tërhiqnin tre pako që kishin mbërritur nga Tajlanda në degën qendrore të Postës Helenike (ELTA) në Patra, përmes aeroportit ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos”. Në brendësi të pakove u gjet rreth një kilogram marijuanë, me vlerë tregu rreth 23 mijë euro.
Sipas burimeve, paketat ishin dërguar në emër të marrësve të regjistruar në Patra. Në momentin që ata i morën, ndërhyu policia dhe kreu arrestimin.
Në mesin e të ndaluarve ndodhet edhe një person që dyshohet se ka lidhje me pronësinë e një lokali të njohur nate në qytet. Gjatë kontrollit në një banesë të përdorur prej tij si pikë “mashtruese”, policia sekuestroi 36 gramë kokainë dhe dy peshore elektronike precize.
I riu shqiptar rezulton i njohur për autoritetet greke, pasi ishte arrestuar edhe disa ditë më parë në një tjetër rast të trafikut të drogës.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi njëmujor, në bashkëpunim me autoritetet doganore, të cilat ndihmuan në identifikimin e ngarkesës së paligjshme që u soll nga Tajlanda me rrugë ajrore.