Siria i mori dy milionë vaksina kundër kolerës
Siria i mori dy milionë doza të vaksinave kundër kolerës, që është dërgesa e parë që kur u godit nga epidemia e kësaj sëmundje infektuese në shtator, kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë në Damask, duke shtuar se është siguruar nga agjencia UNICEF dhe organizata ndërkombëtare Gavi.
Kolera e shkretoi këtë vend të goditur nga lufta për një kohë të gjatë, për çka edhe është e vështirë të luftojë me epideminë për shkak të sistemit shëndetësor të shkatërruar dhe sistemit të shpërndarjes së ujit të pijshëm.
Sipas Ministrisë, nga shtatori deri më tani në Siri nga kolera janë infektuar 1.556 persona, ndërsa kanë vdekur 49.
Edhe Ministria edhe Kombet e Bashkuara vlerësojnë se epidemia ka ardhur nga ajo se njerëzit kanë pirë ujë të papastër nga lumi Eufrat dhe e kanë përdorur ujin e ndotur për ujitjen e të mbjellave, që ka rezultuar me kontaminimin e ushqimit.
Siç u kumtua nga Damasku, vaksinimi do të fillojë në dhjetor, do të zgjasë dy javë dhe do të zbatohet në zonat që janë më të goditura nga kolera, ndërsa ato janë qyteti Alepo, Deir Ezor, Hska dhe Raka.
Në botë ka mungesë të vaksinave kundër kolerës, pasi disa vende në të njëjtën kohë janë goditur nga epidemi për shkak të luftërave, varfërisë dhe ndryshimeve klimaterike.
Për këtë arsye, në tetor Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi suspendim të përkohshëm të mbrojtjes me vaksinë me dy doza dhe tani jepet vetëm një.

