‘Si të ketë ndodhur dje’: Të mbijetuarit rrëfejnë për frikën që vazhdojnë të kenë, edhe një muaj pas tërmetit shkatërrues në Turqi
Para tërmetit në Turqi, Abdullah Senel kishte “nerva prej çeliku”.
Por këto ditë, vetëm të qenit brenda një shtëpie e bën atë nervoz – dhe mjafton vetëm zhurma e një aeroplani që fluturon sipër për ta vënë atë në siklet.
“Isha i patrembur në të kaluarën, por tani një zhurmë e vetme është e mjaftueshme për të më trembur”, ka thënë 57-vjeçari për AFP, përcjell Telegrafi.
“Gjithçka më kujton tërmetin, madje edhe zhurma e një aeroplani”.
Tërmeti shkatërrues i muajit të kaluar me magnitudë 7.8 rrafshoi qytete të tëra, duke vrarë më shumë se 50,000 njerëz në të gjithë Turqinë juglindore dhe pjesë të Sirisë.
Në Kahramanmaras, një qytet turk pranë epiqendrës së tërmetit, të mbijetuarit mbeten të përhumbur nga trauma një muaj pas.
“Ka kaluar një muaj, por për mua është si dje”, citohet të ketë thënë Adem Serin teksa shikonte makineritë e rënda duke hequr grumbujt e rrënojave në kompleksin e shumëkateve ku humbën jetën qindra njerëz.
“Nuk mund ta kalonim tronditjen. Më gjeti tërmeti në katin e 11-të të një pallati të lartë”, tha Serin, gruaja e të cilit është 5 muajshe shtatzënë.
“Unë mund të dëgjoj ende britmat e njerëzve që bërtasin për ndihmë në çdo kat. Kjo dhimbje nuk do të largohet kurrë”.
Dhe përpjekjet për të hequr rrënojat e kudogjendura tani dominojnë qytetin me 1.1 milionë banorë.
Punëtorët që mbërritën nga e gjithë Turqia spërkasin me ujë mbi mbeturinat dhe kamionët e ngarkuar me rrënoja që lëvizin përgjatë rrugës duke pritur për të hedhur mbeturinat në një vendgrumbullim jashtë qytetit.
Retë e pluhurit
Kolonat e pluhurit që dalin nga pastrimi mbulojnë horizontin, të bartura nga era dhe duke gjeneruar re gri që shihen nga kilometra larg, duke mjegulluar dukshmërinë në rajonin e rrethuar nga male.
“Këtu hiqen çdo ditë 200 deri në 250 ton mbeturina, ne po hedhim ujë që të mos ‘shqetësojnë’ mjedisin dhe të mos krijojnë pluhur”, ka thënë Eren Genc, nga drejtoria e pyjeve në provincën lindore të Sivasit.
Ai tha: “Ne nuk pamë asnjë trup, por dje kishte një erë të fortë”, duke drejtuar një zorrë në pllakat e betonit.
Operatorët ndonjëherë hasin në objekte të çmuara ndërsa punojnë për të hequr rrënojat.

