Shqipëria merr drejtimin e KS të OKB
I vetëdijshëm për rolin modest që ka Shqipëria e vogël, në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse të globit, atë të Këshillit të Sigurimit të OKB, sërish kryeministri shqiptar beson se dhe vendi ynë mund të japë kontributin e tij në luftën ndaj pandëshkueshmërisë pas mizorive ndaj civilëve të pafajshëm.
Pikërisht me një qëndrim për këtë temë do të çelet presidenca një mujore e Shqipërinë në KS, që nis këtë 1 Qershor.
“Në Europë plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë sidomos në Kosovë janë ende të hapura. Po bëjmë çdo gjë që është e mundur për të ecur përpara. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror. Nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë tani për viktimat e panumërta por edhe për ne të gjithë për të mbrojtur ligjin”.
Kryeministri, që do të drejtojë të enjten debatin mbi llogaridhënien ndërkombëtare, e vlerëson në mesazhin e tij në selinë e Kombeve të Bashkuara, si privilegj që t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit mbi këtë temë, që është bërë edhe më shqetësuese pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë.
“Të gjithë kemi pjesën tonë për të bërë. Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë që kam nderin të drejtoj i drejtohet forcimit të llogaridhënies. Shqipëria e promovon atë ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe paqja shkojnë bashkë. Jemi të privilegjuar t’i japim zë bindjeve tona”.
Të martën Rama u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB për programin e përparësive të presidencës shqiptare, presidencë që do ta rimarrë sërish në Tetor të 2023, 2 muaj para përfundimit të mandatit 2 vjeçar si vend jo i përhershëm i KS.

