Shpërthim i madh në një xhami në Pakistan, të paktën 28 persona të vrarë
Të paktën 28 persona janë vrarë në një eksplodim në një xhami në qytetin pakistanez të Peshawarit.
Shpërthimi ndodhi kur xhamia ishte e mbushur me besimtarë dhe më shumë se 150 persona janë lënduar.
Një pjesë e ndërtesës u shkatërrua, dhe zyrtarët thonë se ka njerëz të varrosur në rrënjoja. Shumë të tjerë po dërgohen nëpër spitalet lokale, raporton BBC.
Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë. Kryeministri Shebaz Sharif ka thënë se e dënon fuqishëm këtë sulm.
Në një deklaratë, z. Sharif tha se ata që qëndronin prapa incidentit “nuk kishin të bënin asgjë me islam”.
Ai shtoi: “I gjithë kombi është i bashkuar kundër kërcënimit të terrorizmit”.
Shpërthimi ngjau gjatë faljeve të pasdites në qytetin veri-perëndimor, afër kufirit me shtetin fqinj Afganistanin.
Mohammad Asim, zëdhënës i një spitali, tha që disa prej të plagosurve ishin në gjendje kritike.
“Është situatë emergjente,” – u shpreh z. Azim.
Mediat lokale raportojnë se policia, ekipet e armatosura dhe ato të bombave ishin në vend të ngjarjes.
Në kryeqytet, Policia e Islamabadit lëshoi një alarm të lartë të sigurisë dhe tha që siguria në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit ishte rritur.

