Shpërndau pamje me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve, arrestohet 34-vjeçari në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar pasi që kishte shpërndarë në internet fotografi dhe video me përmbajtje abuzive seksuale të fëmijëve, shkruan Gazeta Infokus.

Siç njofton policia, i dyshuari 34 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore dje më datë 15.08.2022 ka identifikuar të dyshuarin i cili ka poseduar disa fotografi dhe video me përmbajtjeje abuzive seksuale të fëmijëve, pastaj këto materiale i ka shpërndarë te personat e tjerë përmes rrjetit social Facebook dhe aplikacionit Wahtsapp. Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi” përcaktuar sipas kodit penal të Republikës së Kosovës. I dyshuari mashkull (1988) është arrestuar nga Policia dhe pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu thuhet se një vepër e tillë është e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një vit burg deri në 15 vite, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale.

“Kjo dukuri negative e shfaqur në vendin tonë dhe më gjerë, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është tepër shqetësuese. Persona të ndryshëm, kryesisht të moshave të reja, i shpërndajnë këto materiale që përmbajnë video dhe fotografi ku abuzohen seksualisht fëmijët e paidentifikuar. Këto fotografi dhe video i shpërndajnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale (Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok etj.). Kjo dukuri është mjaft shqetësuese për vet faktin se kemi të bëjmë me shtresën më të ndjeshme të shoqërisë. Gjithashtu, një gjë e tillë i ri-viktimizon të gjithë ata fëmijë të abuzuar, edhe pse të paidentifikuar. Një veprim i tillë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një (1) vit burg deri në pesëmbëdhjete (15) vite, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale”, thuhet tutje në njoftim.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/357903839883214