Shpërbëhet njësia speciale e Policisë së Memfisit pas akuzave për vrasjen e Tyre Nichols

Departamenti i Policisë së Memfisit ka shpërbërë njësinë speciale të ashtuquajtur “akrepi”, pasi pesë policë të saj akuzohen për vrasjen e një person me ngjyrë.

Njësia prej 50 policësh, që kishte mision uljen e nivelit të krimit në zona të veçanta, u shpërbë pas publikimit të videos, ku policët e kësaj njësie shihen duke e rrahuar Tyre Nichols, 29-vjeçar, i cili vdiq tri ditë më vonë në spital.

Ai ishte ndaluar nga policia në Memfis më 7 janar për ngasje të pakujdesshme.

Në një deklaratë, departamenti tha se “është në interesin më të mirë të të gjithëve që të çaktivizohet përgjithmonë” njësia.

Familja e Nichols e mirëpriti vendimin dhe përmes një deklaratë nga avokatët e quajti atë “të përshtatshëm dhe proporcional me vdekjen tragjike të Tyre Nichols, dhe gjithashtu një vendim të denjë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Memfisit”.

Njësia u themelua në tetor 2021, dhe kishte synim luftimin e krimit, si vjedhjen e makinave dhe veprat penale të lidhura me bandat.

Pesë policët, Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith, u pushuan nga puna javën e kaluar.

Një grup prej rreth 100 protestuesish u mblodhën pas publikimit të videos para statcionit të Policisë në Memfis për të kërkuar ndryshimin e qasjes së policëve, që ata thanë se është bërë zakon që t’i rrahin njerëzit me ngjyrë në Memfis dhe he në mbarë vendin.