Shkupjanët do ta paguajnë shtrenjtë “transportin falas” të Danella Arsovskës

Shkup, 5 janar – Transporti falas urban për të gjitha kategoritë e qytetarëve, ishte një nga premtimet e Danella Arsovskës që u bëri më së shumti përshtypje votuesve në Shkup gjatë fushatës parazgjedhore. Ishte ky premtimi që në njëfarë mënyre e popullarizoi Arsovskën, deri atëherë gati anonime përballë ish-kryetarit, mund të thuhet karizmatik të Shkupit, Petre Shilegov. Për kryeqytetasit që dita ditës po zhyten në kushte gjithnjë e më të vështira ekonomike, një premtim si transporti falas urban ishte i mirëseardhur dhe si i tillë kuptohet joshi shumë prej tyre që votën të japin për kandidaten e pavarur, të mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja opozitare,
Mirëpo premtimet e rrejshme i kanë këmbët e shkurtëra. I tillë, për fat të keq të shumë banorëve të Shkupit, duket se po del edhe premtimi i kryetares aktuale Danella Arsovska për transport falas urban.
Që bëhet fjalë për një premtim i cili nuk do të plotësohet as shpejtë e as lehtë, u pa menjëherë pasi Arsovska e mori mandatin. Në një nga paraqitjet e para si kryetare e qytetit, ajo tha se transporti urban do të bëhet falas, por se nevojitet kohë. Disa paraashtruan pyetjen se pse Arsovska nuk kishte treguar para zgjedhjeve se do i nevojitet kohë për të bë transportin falas, kurse disa treguan mirëkuptim, duke u nisur nga logjika më mirë të bëhet ndonjëherë se asnjëherë.
Mirëpo, tani pas zgjedhjeve, punët më shumë po ngjajnë se transporti falas nuk do të bëhet “asnjëherë, e ndoshta as atëherë”, siç thotë fraza popullore për projekte që premtohen e nuk realizohen. Tani kemi një situatë krejt të kundërt. Qytetarët e Shkupit me gjasë “transportin falas” të Danella Arsovskës do ta paguajnë edhe më shtrenjtë se sa që kanë paguar në kohën e Koce Trajanovskit e Petre Shilegovit.
Ku bazohen këto dyshime. Bazë paraqet deklarata e drejtorit të Ndërmarrjes për Transport Publik në Shkup, Ivan Ilievski, i cili u ankua nga rritja e çmimit të metanit nga 50 në 110 denarë. Loja propagandistike është e qartë. Nuk del vetë Danella Arsovska të flaës për këtë problem, por e lëshon të flaës drejtorin e ndërmmarrjes komunale. Jo që ai nuk ka kompetenca, por ishte Arsovska ajo që në qendër të programit kishte transportin falas publik. Kurse në paraqitjen e tij Ilievski nuk përjashton as mundësinë që të ketë shtrrenjtim të biletave edhe pse një gjë e tillë, sipas tij, ende nuk është shqyrtuar. Duke kërkuar subvencione nga Qeveria për Ndërmarrjen e Transportit Publik, është e qartë se administrata e qytetit mundohet fajin për pamundësinë e vet për të siguruar transport falas, ta hedhë te Qeveria. Duket se ekipi i Arsovskës kërkon arsyetim të llojit: Nuk na ndihmoi Qeveria, se ne do ta bënim transportin falas.
E një përllogaritje e lehtë matematikore, tregon se metani i shtrenjtuar nuk mund të jetë bazë të kërkohet shtrenjtim i biletave. Vetë përfaqësuesit e ekipit të Arsovskës thonin se për karburante NTP harxhon brenda vitit 1.2 milionë euro dhe se ajo shumë lehtë mund të mbulohet për të siguruar transport falas. Nëse ka mundur të mbulohet shifra 1.2 milionë euro për transport falas, atëherë mund të mbulohet edhe kostoja e re me çmim të rritur të metanit, nëse jo për transport falas, atëherë që të mos ketë shtrenjtim të biletave.
Mirëpo këtu qëllimi siç duket është që transporti të shtrenjtohet me çdo kusht, kurse faji për këtë t’i hidhet pushtetit qendror. Janë naivë përfaqësuesit e qytetit që mendojnse qytetarët do ta pranojnë këtë arsyetim të tyre, pa kaluar as tre muaj nga koha kur transporti falas premtohej pa asnjë kusht (në fushatë parazgjedhore).
Kurse mospërmbushja e premtimit për transport falas, e madje shkuarja në ekstrem tjetër për shtrenjtim të çmimit të transportit, shton dyshimet se sa do të përmbushë Arsovska premtimet tjera që i kishte para zgjedhjeve.
Më poshtë po i sjellim këto premtime, të publikuara në ueb faqen e Arsovskës sa ishte candidate për kryetare të qytetit dhe do të vëreni se gjithçka në ato premtime sillet rreth tejkalimit të kaosit urbanistik dhe në trafik.
Kështu premtonte Danella Arsovska:
- Kaosi i trafikut në Shkup do të përfundojë nëse kemi transport publik lehtësisht të arritshëm dhe modern. Detyrimi dhe përparësia jonë në punën tonë është të investojmë në lidhje të shpejta midis vendbanimeve kryesore në qytet, dhe në të njëjtën kohë t’i zvogëlojmë bllokimet në qytet. Shkupjanët kanë nevojë për hapësirë parkimi, veçanërisht në qendër të qytetit, por hapësirë parkimi me çmime të përshtatshme dhe të përballueshme për çdo banor. Ne do të mbështesim transportin alternativ dhe do të përpiqemi të rrisim numrin e çiklistëve në qytet duke modernizuar më tej sistemin e marrjes me qira të biçikletave.
- Oferta ime përbëhet nga zgjidhje të shpejta dhe efikase që do të sigurojnë një jetë të mirë dhe cilësore për të gjithë shkupjanët. T’i jepet fund kaosit urban, zgjidhja e problemin me qytetin e papastër, krijimi i zonave të reja të gjelbra janë pjesë e programit për ngritjen e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë. Shkupi sot po përballet me zhvillim të pabarabartë. Përderisa një pjesë e qytetit po merr vëmendje të fortë dhe hapa drejt urbanizimit dhe modernizimit, disa pjesë të Shkupit janë harruar dhe përballen me probleme që duhet të harrohen në shekullin e kaluar. Unë do të kujdesem për të gjitha nevojat për një jetë dinjitoze siç e meriton çdo qytetar i Shkupit.
- Shkupi ka nevojë për zhvillim të shpejtë në një metropol modern dhe evropian, dhe njëkohësisht duke e ruajtur traditën . Kultura duhet të jetë një hapësirë për njohjen e modernizmit dhe traditës së Shkupit, ku potencialet krijuese, kulturore dhe arsimore marrin nxitje për të formuar të ardhmen e tyre. Së bashku ne do ta bëjmë Shkupin një qytet evropian të kulturës. Por një qytet pa të rinj nuk ka të ardhme. Të rinjtë, pavarësisht nga niveli i tyre i arsimimit, duhet të marrin vendin e merituar në qytetin e Shkupit. Shqetësimet për të ardhmen e tyre dhe emigrimi, mungesa e hapësirës për të rinjtë janë të vazhdueshme. Por ne kemi një plan. Me zgjidhje të shpejta dhe efikase ne do t’u tregojmë të rinjve se vendi i tyre është në shtëpi – në Shkup!
Mospërmbushja e këtyre premtimeve mund t’i kushtojë shtrenjtë Danella Arsovskës në zgjedhjet e ardhshme, por edhe më shtrenjtë VMRO-DPMNE-së si parti që e përkrahi atë në fushatë. Nëse Arsovska ka “vakum” prej katër viteve deri në zgjedhjet e ardhshme, këtë luks nuk e ka partia e Mickovskit, sepse vetë ai vazhdimisht kërkon zgjedhje sa më të shpejta parlamentare.