Shkupi dhe Beogradi do të investojnë në infrastrukturën hekurudhore të Korridorit 10

Shkup, 18 maj – Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë, Dimitar Kovaçevski dhe Ana Bërnabiq, sot paralajmëruan modernizimin e hekurudhës përgjatë Korridorit 10. Kovaçevski theksoi se duhet të investohet në infrastrukturën hekurudhore të Korridorit 10 për të rritur kapacitetin dhe për të rritur shpejtësinë e transportit, ndërsa Bëranbiq thekson se një nga prioritetet e ardhshme të Qeverisë së Serbisë është hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

“Lidhur me hekurudhën që po ndërtohet në Serbi, kryeministrja më informoi për planet dhe në të njëjtën kohë e informova për planet tona për ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi fillimin e një cikli të madh investimesh në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht ndërtimin e Korridorit 8, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, duke qenë se Korridori 10, i cili na lidh me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Greqisë, është ndërtuar tërësisht si pjesë zgjidhjes së autostradës”, tha Kovaçevski.

Prandaj, kur flasim me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me BE-në, me institucionet financiare shumëpalëshe dhe kur flasim për bashkëpunim rajonal mes dy vendeve, sipas kryeministrit, një nga prioritetet tona duhet të jetë dhe do të jetë një qasje e përbashkët në sigurimin e mjetece financiare për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore në Korridorin 10.

Kryeministrja serbe Bërnabiq tha se lidhja infrastrukturore dhe ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave për lidhje më të mirë të rajonit është një nga shtyllat themelore të bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale.

“Kjo siguron që jo vetëm ekonomitë dhe bizneset të lidhen dhe është po aq e rëndësishme, nëse jo më e rëndësishme, në situata të caktuara të lidhim njerëzit, të kemi njohje, shkëmbim përvojash, njohuri, udhëtime, diçka që garanton një të ardhme më të mirë për vendet tona. Republika e Serbisë ka investuar shumë në lidhjet infrastrukturore me rajonin dhe ndërtimin e rrugëve dhe do të investojë edhe më shumë në ndërtimin e hekurudhave”, tha ajo.

Bërnabiq u shpreh e kënaqur me përfundimin e korridorit 10 në mandatin e saj dhe theksoi se prioritet i radhës i Qeverisë së Serbisë është hekurudha e shpejtë, gjegjësisht modernizimi i plotë i hekurudhës në Korridorin 10, pra hekurudha nga Beogradi deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Bërnabiq sot në Shkup morën pjesë në Samitin rajonal Maqedoni 2025 dhe patën takim bilateral.