Shënohet Java ndërkombëtare e infermierisë: Infermierët janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë

Shkup, 12 maj – Infermierët janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë, të cilët vazhdojnë të kujdesen për shëndetin dhe jetën e njerëzve çdo ditë, tha presidenti Stevo Pendarovski në video fjalimin në shënimin e sotëm të Javës ndërkombëtare të infermierëve.

Në këtë ngjarje, bashkëshortja e presidentit, Elizabeta Georgievska, ndau pllaketa post humane dhe mirënjohje për infermierët që humbën jetën duke punuar në qendrat e kovid.

“Sot kujtojmë kolegët tuaj që humbën jetën në luftën kundër virusit, besnikë deri në fund thirrjes humanitare. Violeta Kacarska, Diana Makosheviq Dimovska, Elica Andreeska, Irena Dojçinovska Milloshevska, Naside Emini dhe Merlinda Alimi dhanë jetën për të shpëtuar jetë të tjera. Sakrifica e tyre e madhe dhe e shtrenjtë na detyron që t’i kujtojmë me mirënjohje dhe të reflektojmë për solidaritetin e tyre, por edhe të investojmë në përmirësimin e pozitës së infermierëve në Maqedoninë e Veriut, sepse vetëm kështu do të kontribuojmë në përmirësimin e shëndetit të të gjithë qytetarëve, gjithë shoqërinë”, theksoi Pendarovski në fjalimin e tij.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, kurorëzoi infermierët me epitetin “engjëj” dhe tha se edhe në një pandemi të përmasave të papara, ata bënë përpjekje mbinjerëzore dhe morën pjesë në menaxhimin më të suksesshëm të pandemisë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballeni çdo ditë. Ne kemi nevojë për përvojën, aftësitë dhe njohuritë tuaja për të krijuar bashkërisht politika që nga njëra anë do të nënkuptojnë përmirësim të statusit të infermierëve, dhe nga ana tjetër do të nënkuptojnë pacientë më të kënaqur”, tha Sali.

Ministri tha se në vitet e kaluara janë realizuar aktivitete që kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës së infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor.

“Rritje ka pasur edhe shtesa e punës së natës dhe rritje e pagave për personelin mjekësor me arsim të lartë, të mesëm mjekësor. Synimi është që ky trend të vazhdojë. Në kuadër të grupeve të punës, si dhe në takimet tona të drejtpërdrejta, jam i gatshëm për debate të shëndetshme, sugjerime, vërejtje dhe propozime-zgjidhje tuaja për tejkalimin e sfidave me të cilat përballemi të gjithë ne. Një nga sfidat e kahershme është parandalimi dhe minimizimi i largimit të personelit mjekësor jasht vendit, sepse profesionalizmi, njohuritë dhe përvoja juaj janë të paçmueshme për sistemin shëndetësor. Me këtë qasje, besoj se bashkërisht po kontribuojmë në avancimin e statusit të infermierit në shoqëri”, tha Sali.

Ai uroi Javën ndërkombëtare të infermierisë dhe theksoi se përmes besimit reciprok, respektit dhe punës së bashku mund të përmirësojmë ndjeshëm statusin e infermierëve sepse ata e meritojnë.