SHBA kërkon ndihmën e Kinës për zgjidhjen e krizës në Hormuz
Pekin, 14 maj medial.mk/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbështeten te Kina për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit.
“Shpresojmë t’i bindim ata të luajnë një rol më aktiv për ta bërë Iranin të tërhiqet nga ajo që po bën aktualisht dhe që po përpiqet të bëjë në Gji”, tha Rubio për “Fox News”.
Rubi shoqëron presidentin amerikan.
Shefi i diplomacisë amerikane tha se Kina ka disa arsye për t’u interesuar në zgjidhjen e situatës në Ngushticën e Hormuz, e cila aktualisht është kryesisht e pakalueshme, duke theksuar se edhe anijet kineze janë bllokuar në Gji.
Ai shtoi se ekonomia kineze e orientuar drejt eksporteve po ndjen pasojat e krizës globale të shkaktuar nga situata në ngushticë, pasi vendet e tjera po blejnë më pak produkte kineze.
Komentet e Rubios ranë në kontrast me deklaratat e mëhershme të Trumpit.
I pyetur nëse Xi mund të ndihmojë në luftën me Iranin, Trump u përgjigj se “nuk mendonte se kishte nevojë për ndihmë me Iranin”.
Përplasja në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregjet globale të naftës dhe gazit, ka rënduar ekonominë botërore prej disa kohësh.
Irani e bëri ngushticën kryesisht të pakalueshme përmes kërcënimeve dhe sulmeve ndaj cisternave dhe anijeve tregtare pas nisjes së luftës më 28 shkurt.
SHBA-ja u kundërpërgjigj me një bllokadë ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Kina, një nga partneret më të rëndësishme të Teheranit, ka bërë thirrje që nga fillimi i luftës për rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

