SHBA-ja ka propozuar që KS i KB-së ta dënojë Korenë e Veriut për testet e saj raketore
SHBA-ja i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të KB-së që ta dënojë Korenë e Veriut për testet e raketave balistike dhe t’i bëjë thirrje Phenianit që të ndërmarrë hapa diplomatikë, duke paralajmëruar se mosveprimi i Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh është i rrezikshëm.
Kina dhe Rusia kundërshtojnë çdo veprim të mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së kundër Koresë së Veriut, duke pohuar se presioni shtesë ndaj Phenianit nuk është konstruktiv.
Majin e kaluar, Kina dhe Rusia vendosën veton ndaj një propozimi të SHBA për të vendosur sanksione shtesë të KB-së për Korenë e Veriut.
“Realiteti është se ata që mbrojnë Korenë e Veriut nga pasojat e testeve të saj raketore po e vënë Azinë dhe të gjithë botën në rrezik konflikti. Mosveprimi i KS është përtej i turpshëm”, tha ambasadorja e SHBA-së në KB, Linda Tomas-Grinfild.

