SHBA-ja evakuon pjesërisht ambasadën në Niger

Shtetet e Bashkuara kanë marrë vendim për evakuim të pjesshëm të Ambasadës amerikane në Niger, pas puçit të javës së kaluar.

Qindra shtetas të huaj tashmë janë evakuuar nga ky shtet pasi Ambasada e Francës është sulmuar të dielën nga protestuesit.

Lideri i puçit, gjenerali Abdourahamane Tchiani, ka paralajmëruar kundër “çfarëdo ndërhyrjeje në punët e brendshme” të shtetit.

Nigeri është prodhues i madh i uraniumit dhe shtrihet në një rrugë kyçe të migrimit mes Afrikës së Veriut dhe Mesdheut.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka folur të mërkurën me presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum, dhe se SHBA-ja është e përkushtuar për rikthimin e demokracisë në Niger përmes një qeverie të dalë nga zgjedhjet.