SHBA-ja do të zhvillojë stërvitje të reja ushtarake me Maqedoninë e Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë stërvitje të reja ushtarake me ushtrinë e Maqedonisë së Veriut.

Njoftimi është bërë i ditur në kuadër të 30-vjetorit të themelimit të ushtrisë maqedonase.

Në një ndryshim në Ligjin e mbrojtjes kombëtare, Kongresi amerikan i kërkoi Pentagonit të propozojë më shumë stërvitje ushtarake me Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, sipas Projektligjit për buxhetin e mbrojtjes për vitin e ardhshëm fiskal, shkruajnë mediet vendase.

Në të thuhet se “është me rëndësi thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe anëtaret tjera të NATO-s të vazhdojnë të kryejnë stërvitje të ngjashme me Maqedoninë e Veriut dhe të përpiqen për integrim të mëtejshëm”.

Mesazhi që dërgon SHBA-ja është se ajo po fokusohet sërish te Maqedonia e Veriut dhe rajoni, pas një pauze disavjeçare në të cilën jo vetëm SHBA-ja, por edhe BE-ja u morën me problemet e tyre, thotë Metodi Haxhi-Janev, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Akademinë Ushtarake në Shkup.

Maqedonia e Veriut shënoi të enjten 30-vjetorin e formimit të ushtrisë së saj, që përbëhet nga rreth 9 mijë ushtarë profesionistë, të pajisur kryesisht me armatim të lehtë.

Shkupi është anëtar i NATO-së është që nga muaji mars i vitit 2020.

Pjesëtarët e ushtrisë maqedonase kanë marrë pjesë në misione të ndryshme ushtarake si në Afganistan, Irak, Bosnjë e Hercegovinë, në Liban dhe së fundmi në Kosovë.