SHBA-ja dhe Japonia po zgjerojnë bashkëpunimin e sigurisë mes kërcënimeve në rritje nga Kina

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia kanë njoftuar se do ta thellojnë bashkëpunimin e tyre të sigurisë në funksion të kërcënimeve në rritje nga Kina.

“Ne pajtohemi se Kina është sfida më e madhe e përbashkët strategjike me të cilën përballemi ne dhe aleatët tanë”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken pasi ai dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lojd Ostin takuan homologët e tyre japonezë në Uashington.

Ostin para mediave njoftoi planet për të formuar një regjiment të ri amerikan në Japoni.

Blinken tha se të dy vendet ranë dakord gjithashtu të zgjerojnë dispozitat e marrëveshjes së tyre të përbashkët të mbrojtjes për të përfshirë hapësirën.

“Ne pajtohemi që sulmet nga ose në hapësirë ​​paraqesin qartë një sfidë. Dhe e pranojmë se, në varësi të natyrës së këtyre sulmeve, neni 5 i Traktatit të Sigurisë SHBA-Japoni mund të aktivizohet. Kjo është e rëndësishme”, tha ai.

Sipas Nenit 5 të marrëveshjes SHBA-Japoni, secili nga dy vendet do të konsiderojë çdo agresion ushtarak kundër një aleati si një kërcënim për sigurinë e tij kombëtare dhe ka të drejtë të ndërmarrë veprime në përputhje me dispozitat e kushtetutës së tij.

Më vonë sot, Ostindo të takohet sërish me homologun e tij, Jasukazu Hamada, në Pentagon, ndërsa nesër do të ketë një takim mes presidentit Xho Bajden dhe kryeministrit japonez Fumio Kishida.