SHBA: Edhe një herë, Kosova tregon lidership në nivel global

Shtetet e Bashkuara kanë falenderuar Kosovën për gatishmërinë që të ofrojë strehë për afganët që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane gjatë misionit gati 20 vjeçar në Afganistan.

“Falënderimet e mia më të thella në emër të Shteteve të Bashkuara për qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj që t’iu ofroni strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova tregon lidership në nivel global”, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje (16 gusht) ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën (17 gusht) se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara. Strehimi i afganëve, shtoi Kurti, përveç aspektit human ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me SHBA-në si dhe është një çështje e ndjeshme e sigurisë.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Të martën është raportuar për një situatë më të qetë derisa evakuimet e personelit të huaj dhe civilëve po vazhdojnë.