SHBA e gatshme për valën e re të Kovid-19, amerikanët sërish mund të porosisin teste falas

Amerikanët sërish do të mund të porosisin teste falas për Kovid-19 përmes postës,  duke filluar që sot, në kohën kur rastet e koronavirusit filluan të rriten, veçanërisht pas Ditës së Falënderimeve, njofton En-pi-ar.

Çdo amerikan mund të porosisë më së shumti deri në katër teste falas për Kovid-19 në faqen COVIDtests.gov, ndërsa dërgimi do të fillojë nga e hëna, 19 dhjetori, njofton përfaqësuesi zyrtar në brifingun mbrëmë. Qeveria ju bëri thirrje njerëzve menjëherë të testohen nëse vërejnë simptoma edhe para se të shkojnë në vizitë tek familjarët dhe miqtë, tani në vigjilje të festave të dimrit.

Kjo është hera e katërt të jepen teste të shpejta falas këtë vit. Shtëpia e Bardhë e ndërpreu programin në shtator, duke kumtuar se nuk munden më të dërgohen pako pasi Kongresi e ka refuzuar kërkesën për financim shtesë. Por Administrata disi u gjend me furnizimin e më shumë testeve të rezervave nacionale, njoftuan që atje.

“Ne e dimë se virusi do të qarkullojë më shpejt dhe më lehtë kur njerëzit të mblidhen në ambiente të mbyllura gjatë pushimeve dimërore. Pas Ditës së Falënderimeve, shohim një trend në rritje të sëmundjeve të reja dhe presim një rritje të numrit të rasteve pas festave të dhjetorit”, deklaroi zyrtari.