Serbia miraton “lëvizjen e lirë” për automjetet me targa të Kosovës

Qeveria e Serbisë ka miratuar lëvizjen e lirë të automjeteve me targa të Kosovës në vend, transmeton Anadolu.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një deklaratë për mediat vendase ka bërë të ditur se qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin e lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës (RKS) në vend.
Petkoviq ka thënë se kanë marrë parasysh faktin që shumica e serbëve në Kosovë kanë filluar të përdorin automjete me targa RKS dhe ka theksuar se vendimi në fjalë do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për të gjithë kufijtë dhe vendkalimet administrative.
“Vendimi do të sigurojë të drejtat dhe lirinë e lëvizjes së popullit tonë në Kosovë”, tha Petkoviq, duke shtuar se nuk i kanë kaluar “vijat e kuqe” për sa i përket mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit kombëtar.
“Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme”
Ndërkaq, në një deklaratë me shkrim të Qeverisë së Serbisë, theksohet:
“Lejimi i të gjitha automjeteve me targa të Kosovës për të marrë pjesë në trafikun rrugor bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet situata e individëve dhe të sigurohet liria e tyre e lëvizjes. Nuk mund të interpretohet si ‘njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme’, nuk dëmton përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim për devijimin e Beogradit nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.