Sekretari i Sigurisë Kombëtare: kufijtë nuk mjaftojnë më për të mbrojtur SHBA-në

 Kufijtë e Amerikës, dhe kufijtë në përgjithësi, nuk janë më të mjaftueshëm për të ndihmuar për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga një seri kërcënimesh që po evoluojnë, përfshirë luftërat në vende të tjera, thuhet në një vlerësim të zymtë të zyrtarit më të lartë amerikan për sigurinë në vend.

Duke folur vetëm një javë pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare qarkulloi sërish një buletin të Sistemit Këshillimor Kombëtar për Terrorizmin, për shkak të një “mjedisi të vazhdueshëm kërcënimesh”, Sekretari Alejandro Mayorkas paralajmëroi se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara dhe faktorët kriminalë po shfrytëzojnë përparimet e teknologjisë për të ndikuar nga brenda vendit, në mënyra që deri më tani nuk kanë qenë të mundura.

“Përballemi me një lloj të ri lufte, që nuk kufizohet më nga kufijtë apo manovrat ushtarake”, i tha Sekretari Mayorkas një audience në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.