“S’duhet të martohesh me mësuesen”, vihet në siklet Macron: Kur dashuron, s’ke zgjedhje
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u gjend gjatë një diskutimi me fëmijët nga La Papotin, një gazetë e themeluar në vitin 1990 në një qendër kujdesi për të rinjtë me autizëm.
Pyetja që ra në sy dhe është bërë virale kishte të bënte me marrëdhënien e Macron me gruan e tij, Brigitte Macron.
“Ai është presidenti. Ai duhet të japë shembull dhe të mos martohet me mësuesen e tij”- Pyetja ka të bëjëme gruan e tij – Brigitte Macron, e cila ishte nënë e tre fëmijëve dhe 24 vite më e madhe se ai kur u takuan në shkollën e mesme ku ai ishte student dhe ajo mësuese.
“Nuk bëhet fjalë nëse duhet të jepni apo jo një shembull. Kur je i dashuruar, zgjedhja nuk është e jotja”, u përgjigj presidenti francez.
Macron u pyet gjithashtu nëse ka para të mjaftueshme dhe ai u përgjigj se si president i Francës merr më pak sesa kur punonte si bankier.
Gjatë debatit, Emmanuel Macron u pyet edhe për Vladimir Putin dhe u përgjigj se “kur takohesh nuk është e pakëndshme. Ky është paradoksi”.
Në fund të intervistës, presidenti francez ka vënë theksin tek pyetjet që ka marrë, duke thënë se “më çuan në rrugë që nuk kisha qenë kurrë në intervista të tjera me gazetarë të tjerë”.