SASHK: Përfundoi raundi i sotëm me MASH, do vazhdojnë të premten

Shkup, 4 maj – Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), Jakim Nedellkov sot pasdite njoftoi se ka përfunduar raundi i sotëm i bisedimeve me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nën patronazhin e ndërmjetësuesit dhe se bisedimet do të vazhdojnë të premten kur presin edhe përgjigje konkrete për propozimet e tyre.

“Përfundoi raundi i sotëm i bisedimeve me MASH-in, nën patronazhin e ndërmjetësuesit. Të gjitha çështjet të cilat janë hapur, në bazë të kërkesave tona ishin diskutuar, analizuar, argumentuar nga të dyja palët”, shkroi Nedellkov në Fejsbuk.

Lideri sindikalist sot deklaroi se janë në fillim të bisedimeve, por se nuk fillojnë nga zero, gjë që do të merrte shumë kohë dhe energji.

“Të gjithë kemi pritshmëri që nga kjo grevë të dalim me rezultat pozitiv dhe jo si fitues, por si partnerë socialë, të cilët do të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciproke, ku nuk do të ketë fitues dhe humbës.  Përfitimi më i madh është hapja e kutisë së Pandorës për harmonizimin e pagave në të gjitha aktivitetet si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik”, tha Nedelkov.

Afati për ndërmjetësim është dhjetë ditë për harmonizimin e qëndrimeve sa i përket ndërmjetësimit dhe nëse gjatë atij afati nuk arrihet marrëveshje, atëherë do të duhet të vazhdojnë bisedimet për edhe dhjetë ditë.