Sali: Presim rritje të pagave nga muaji korrik

Shkup, 12 maj – E dimë se ka vështirësi, e dimë se ka pakënaqësi, megjithatë punojmë në mënyrë sistematike që t’i zgjidhim kërkesat e tyre njëra pas tjetrës, theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në shënimin e sotëm të Javës ndërkombëtare të infermierisë, duke u përqendruar në kërkesat e infermiereve.

Ai theksoi se është formuar grup punues, i cili përgatit ligj të ri për infermierinë me propozim të Shoqatës së infermiereve. Sali shtoi se nga Shoqata e kanë marrë draft tekstin, të cilin ata e kanë përgatitur dhe me të punësuarit në Ministri, nga sektori i çështjeve juridike koordinohen për punën e mëtutjeshme rreth Ligjit për infermieri.

“E dini ne në vazhdimësi investojmë në përmirësimin e kushteve në punë, si për infermieret ashtu edhe për të punësuarit në shëndetësi. Tani presim në muajin korrik, rritje të pagave, kjo është rritja graduale që është kontraktuar me Sindikatën për shëndetësi dhe me të gjitha sindikatat e tjera. Këto dy masa që i kam thënë janë pjesë e të gjitha kërkesave të tyre për avancimin e kushteve në punë dhe shkaqet për qëndrim në vend”, potencoi Sali.