Rruga Shkup-Bllacë, trafik me kujdes të shtuar

Shkup, 24 Maj – Një javë pas shembjes masive të gurëve në aksin rrugor Shkup-Bllacë, trafiku zhvillohet mu kujdes të shtuar. Tani që qytetarët u kthyen nga fundjava e zgjatur prej Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk patën asnjë pengesë në lëvizje nga që të hapura ishin të dy korsitë.

Por, përveç sinjalistikës asgjë tjetër nuk është vënë si preventivë nga shembjet e tjera eventuale që përbëjnë rrezik potencial për kalimtarët.

“Rreth një mijë metër kub masiv gurorë është hequr nga rruga e Shkupit që të shpie për në Bllacë, për momentin qarkullimi është në dy korsi, mirëpo sipas autoriteteve ka rrezik për shembje të reja, andaj përmes sinjalistikës njoftohen shoferët të kenë kujdese gjatë vozitjes në këtë rrugë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” thanë se në këtë aks rrugor ka 7 pika potenciale të shembjes së gurëve nga erozioni i fortë i tokës në këto shkëmbinj të shkoqitur, të cilat në vazhdimësi kanë shkaktuar telashe për qarkullimin rrugorë. Por, akoma janë në pritje të ndonjë lëvizje të re të shkëmbinjve që më pas të ndërmerren masa për fiksimin e mburojave anësore të rrugës.

“Nuk mund të marrim masa tjera përderisa të jemi të sigurt se nuk do të ketë shembje të reja. Pasi që e kemi pastruar hapësirën e kemi siguruar të njëjtën me sinjale, të shohim lëvizjet e tjera eventuale tektonik të masivit gurorë në krahun e djathtë drejt Kosovës, nëse duhet do të vendosim edhe rrjet mbrojtës”, thonë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”.

Ngjarja që ndodhi të martën e kaluar është një alarm për autoritetet që të përshpejtojnë ndërtimin e autostradës së re Shkup-Bllacë, projekt i cili u paralajmërua për vite me radhë. Tani që po zbatohen ndërtimet e segmentit të parë prej 2 km janë shkelur afatet e ndërtimit dhe akoma nuk kanë nisur punimet për vazhdimin e 10 km të tjera që do të lidhej me qarkoren e kryeqytetit.