Rrjeti i Downing Street dyshohet se u prek me një spyware, njofton grupi kanadez

Sistemet kompjuterike të Downing Street dhe Foreign Office dyshohet se ishin prekur me spyware, sipas një grupi hetimor kanadez.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Citizen Lab thotë se ka informuar zyrtarët se një spyware i dyshuar Pegasus u identifikua në vitin 2020 dhe 2021, me incidentin e Downing Street të lidhur me operatorë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pegasus shitet nga NSO Group tek qeveritë për të kryer mbikëqyrje përmes infektimit të telefonave me softuer me qëllim të keq.

Kompania me bazë në Izrael i ka mohuar akuzat, duke thënë se ato janë të rreme dhe nuk mund të kishin ndodhur.

Citizen Lab, që gjurmon mbikëqyrjen elektronike tha se në vitin 2020 dhe 2021 njoftoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se rrjetet që i përkisnin si 10 Downing Street ashtu edhe Zyrës së Jashtme dhe Commonwealth dyshohej se ishin prekur përmes spyware Pegasus.