Rritja e tensioneve në kufi, Lukashenko i gatshëm për bisedime me Poloninë

Lideri i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko thotë se ka urdhëruar kryeministrin e vendit të kontaktojë Poloninë dhe se është i gatshëm për bisedime për shkak të rritjes së tensioneve në kufi mes anëtares së NATO dhe aleatës së Rusisë. Javën e kaluar, Polonia pretendoi se dy helikopterë bjellorus shkelën hapësirën e saj ajrore dhe arrestoi një burrë bjellorus nën dyshimin se ishte pjesë e spiunazhit rus.

Marrëdhëniet mes Minskut dhe Varshavës u përshkallëzuan që kur Lukashenko lejoi Moskën të përdorë territorin Bjellorus të sulmojë Ukrainën. Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë kur Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të grupit mercenar nga Rusia, Wagner. Polonia e quajti këtë kërcënim dhe si pasojë e përforcoi mbrojtjen kufitare.

“Ne duhet të flasim me polakët. E kam urdhëruar kryeministrin t’i kontaktojë ata. Ne jemi fqinj dhe fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh”, tha lideri bjellorus.