Ronela Hajati flet për pjesëmarrjen në “Eurovision”: Ishte ëndërr e imja, doja që të kisha një këngë moderne

Këngëtarja e njohur, Ronela Hajati, sivjet përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision 2022”.

Ajo tashmë ka udhëtuar drejt Torinos, ndërkohë që kanë mbetur edhe pak ditë deri në garën më të madhe të muzikës.

Artistja nga Shqipëria ditën e djeshme (e mërkurë) mori vëmendje të madhe me paraqitjen në konferencë, gjersa u shpreh e lumtur se këtë vit prezanton vendin e saj meqë e kishte një ëndërr.

“4 ose 5 vjet më parë, unë thjesht shikoja Eurovisionin në shtëpinë time, duke menduar se do të ishte shumë mirë të isha atje. Tani që jam këtu, sigurisht që jam e emocionuar. Por gjithashtu mendoj se duhet ta bëj mirë këtë. Jam kaq e fokusuar. Dhe e di gjithashtu se pasi të përfundojë kjo, do të më mungojë shumë. Të gjithë artistët; ne jemi miq”, tha Hajati.

Prioriteti i Ronelës është që të dhurojë performancën më të mirë të mundshme. Por, ajo po synon gjithashtu të shfaqë një anë disi të ndryshme të Shqipërisë nga ajo që është parë në skenën e Eurovisionit gjatë këtyre viteve të fundit.

“Së pari, ajo që është më ndryshe është se unë nuk po sjell një baladë, të cilën Shqipëria e sillte në garë prej shumë vitesh. Ishin balada të bukura, nga këngëtarë me zë të bukur. Por mendoj se po sjell një stil më modern”, vazhdon tutje Hajati.