Reshjet e borës/ Situatë problematike në Dibër, Bypass-i i Murrizit vijon i bllokuar

Situata problematike vazhdon të mbetet në Qarkun e Dibrës për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se Rruga e Arbrit është ende e bllokuar dhe raportohet se në Bypass-in e Murrizit një automjet ka dalë nga rruga dhe ka mbetur i bllokuar me tre persona brenda.

Një fadromë është nisur për të mundësuar qasje në zonën e Bypass-it. Shumë njësi administrative në Qarkun e Dibrës janë të bllokuara, përfshirë Lurën, Kalajën e Dodes, Selishtën, Ostrenin dhe Trebishtin, ku lartësia e borës ka arritur deri në 70 cm.

Bashkia e Dibrës është duke punuar për hapjen e rrugëve. Në disa fshatra ka munguar energjia elektrike për më shumë se 24 orë. Sipas informacionit të marrë, në disa zona të thella nuk do të vazhdojë procesi mësimor.