Rasti në Kërçovë, a është dyvjeçarja viktimë e gjyqësorit të pareformuar që la në liri një person me 50 vepra të kryera?

Shkup/Kërçovë, 12 janar – 30-vjeçarit nga Kërçova F.D. i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Kundër tij është ngritur kallëzim penal “vrasje”. I dyshuari ka qenë kriminel i njohur për policinë. Ndaj tij në të kaluarën janë ngritur mbi 50 kallëzime dhe është dënuar edhe me burg. Sjellja e tij problematike duket se ka kulmuar më 18 dhjetor të vitit të kaluar kur rrahu vajzën e tij dyvjeçare. Pastaj për rreth 20 ditë ajo është trajtuar pa sukses në klinikën e Shkupit, ku vdiq më datë 8 të këtij muaji.

“Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2023, SPB Kërçovë ka dorëzuar rreth 50 kallëzime penale për veprat penale vjedhje dhe vjedhje e rëndë. Në vitin 2013 me vendime gjyqësore, F.D. në dy raste është dënuar me 6 muaj burg dhe një dënim me 3 muaj burg…”, tha Stefan Dimovski – zëdhënës i SPB Ohër. Nga ana tjetër, prokuroria nuk ka bërë të ditur as sot nëse nëna e fëmijës në fjalë do të ndiqet penalisht për ndonjë vepër penale. Ajo si duket ka dashur të fshehë veprën e kryer nga bashkëshorti.

Fillimisht ka pohuar se lëndimet e vajzës kanë ndodhur si pasojë e rënies së një dollapi mbi të, ndërsa më pas ka thënë se është rrëzuar pasi është shtyrë nga fëmijët e tjerë duke luajtur. Qendra për Çështje Sociale e dinte se në këtë familje kishte probleme të tilla.

“Rasti nuk është denoncuar për dhunë në familje. Mirëpo, më 21 korrik të vitit 2023, Qendra për Çështje Sociale është njoftuar nga stacioni policor i Kërçovës se ka pasur keqkuptim dhe debat në mes të F.D. dhe bashkëshortes së tij më 26.06.2022, pas së cilës janë grindur, ajo është larguar nga shtëpia dhe së bashku me fëmijët kanë shkuar në Prilep. Më pas Qendra ka bërë kontroll dhe ka konstatuar se ajo është kthyer në shtëpi me fëmijët dhe ka deklaruar se i kanë kapërcyer problemet dhe kanë vazhduar të jetojnë së bashku”, thonë nga Qendra për Çështje Sociale – Kërçovë.

Që atëherë, Qendra për Çështjet Sociale nuk ka marrë asnjë denoncim tjetër. Ndryshe, familja ishte shfrytëzuese e ndihmës sociale. Përveç vajzës tashmë të ndjerë, ata kanë edhe 6 fëmijë të tjerë. Rasti në Kërçovë nuk paraqet një tragjedi të thejshtë, por një tragjedi që rrënëjët e saj i ka në një problematikë të thellë. Bëhet fjalë për gjyqësorin e pareformuar, për të cilin flitet me vite e dekada, e që nuk ndërmeret thuajse asgjë.

Një kriminel, me 50 vjedhje kallëzime të ngritura për vepra të kryera, ka kaluar me vetëm disa muaj burg. Këto dënime as mund të përmirësojnë një delikuent, e as mund ta frikësojnë. Përkundrazi, munden vetëm ta inkurajojnë për të kryer vepra tjera, që në rastin konkret kanë rezultuar me një viktimë të pafajshme të moshës 2 vjeçare. Si mund të lihet në liri një person me 50 vepra të kryera? Si mundn të lihet person i tilli dhe fëmijët e tij pa asnjë mbikqyrje ose obligim për t’u lajmëruar në polici?

Athua vajzën dy vjeçare në Kërçovë e vrau vetëm babai i saj, apo e vrau sistemi? A jemi edhe të gjithë ne vrasës, që jemi dorëzuar përballë një sistemi të tillë dhe nuk bëjmë asgjë për ta ndryshuar? Ka ardhur kohë që këto pyetje serioze t’i parashtrojmë vetë, e jo vetëm të presim t’i parashtrojnë diplomatët e huaj. Është koha që këtyre pyetjeve t’ua japim edhe përgjigjen e merituar. Sistemi i kalbur asnjëher nuk zgjedh viktimat. Të gjithë jemi viktima potenciale, deri sa nuk reagojmë për të ndryshuar. Deri sa nuk e japim kontributin tonë, ndryshimi nuk vjen. Deri atëherë, të gjithë jemi të rrezikuar, pa përjashtim!/Zhurnal