Raportohet për të shtëna me armë në lokalin e Noizyt, i plagosur mbetet ish-kandidati për kreun e PS-së Ardit Kërtusha

Gjatë ditës së hënë, të shtëna me armë janë dëgjuar në një lokal në Durrës.

Sipas raportimeve dhe gjetjeve nga ABC News Albania, të shtënat kanë ndodhur te lokali i reperit Noizy në zonën e Currilave.

Mësohet se i plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur 31 vjeçari Ardit Kërtusha, ish-kandidati për kreun e PS-së në Durrës. Thuhet se ai u plagos në këmbë pas një konflikti të çastit.

Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta. Kërtusha ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet ende si ka nisur sherri dhe se kush është autori i të shtënave me armë.

Ardit Kërtusha (Foto: Ardit Kërtusha/Facebook)

Njoftimi paraprak i policisë:

“Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 13:00, në lagjen nr.1 Durrës, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. K., 31 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Vijon krehja e zonës, për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim. /ABC News Albania/