Rama: Projekti i Parkut linear Urban në Spitallë, oaz i gjelbër në Durrës

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ishte sot në zonën e Spitallës në Durrës, ku po merr jetë projekti i Parkut linear Urban.
Projekti i Parkut linear Urban në Spitallë, do të jetë një hapësirë rekreative që do të vihet në shërbim të qytetarëve e turistëve të shumtë, me gjelbërim të shtuar, zonë për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive dhe kënde të posaçme për fëmijët.
Sipas Ramës “projekti i jep fund edhe një gangrene mjedisore për komunitetin me mbylljen e kanalit të ujërave të larta që ishte aktiv që prej viteve ’90, mbi të cilin u përfitua hapësira ku po ndërtohet ky oaz i gjelbër në qytetin e Durrësit”.
Kreu i PS në këtë inspektim shoqërohej nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, si edhe nga kryeinxhinieri i punimeve.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, tha se Parku linear Urban është gati 1,3 kilometra i gjatë. Ajo shtoi se është një investim shumë i rëndësishëm për banorët e zonës.
“Është një projekt që ka pak kohë që ka nisur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Para dy vitesh kur bëmë ndërtimin e hidrovorit të ri, mbyllëm një pjesë të madhe të kanalit të ujërave të larta, i cili ka qenë aktiv që para ’90-s. Por duke qenë se kjo ishte një zonë informale, ishte bërë e pamundur jetesa prej gjendjes që kishte kanali i ujërave të larta ku ishin përzierë edhe ujërat e tjera. Pasi përfunduam atë investim, aplikuam për këtë projekt. E kemi konceptuar që të kthehet në një park linear urban. Do të kemi hapësira rekreative, gjelbërim, disa terrene sportive”, tha Sako.
Kryebashkiakja e Durrësit theksoi se investimi ka nisur më shpejt nga sa ishte parashikuar.
“Nuk e kishim menduar se mund të vinte kaq shpejt ky investim, sepse zona e Spitallës ka pasur nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë. Ky ishte një projekt që na bën shumë punë dhe për banorët. Është gati 1,3 kilometra i gjatë, pra fillon në Lagjen 15 dhe mbaron në Lagjen 8. Ka segmente që nuk lëvizin makinat”, tha Sako.
Sako shtoi se materiali për ndërtimin është “tullë dekorative që do të prodhohet në vend dhe do të ketë një identitet të vendit si hapësirë publike”.