Raketat ruse lënë Ukrainën pa drita, rrjeti shpërndarës: Karikoni gjithçka deri në mëngjes
Si në të gjitha vendet e tjera të Evropës kufizimit të energjisë elektrike nuk i ka shpëtuar as Ukraina. Qytetarëve iu është kërkuar të karikojnë gjithçka deri në mëngjes dhe të përgatiten për të qëndruar pa drita deri në orët e vona të mbrëmjes pasi predhat ruse kanë dëmtuar rrjetin.
Kompania kombëtare e energjisë ukrainase u ka kërkuar qytetarëve që të karikojnë gjithçka deri mëngjesin e së enjtes për shkak të ndërprerjeve të pritshme të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet me raketa apo dronë rusë.
Impiantet e energjisë u goditën përsëri nga raketat ruse të mërkurën, si pjesë e një vale sulmesh të ngjashme tashmë që prej 10 tetorit.
Ukrenergo u bëri thirrje qytetarëve që të furnizohen me ujë dhe të sigurohen që të kenë rroba të trasha dhe u bëri thirrje që të karikojnë telefonat dhe gjithçka tjetër me bateri.
Të martën, Presidenti Volodimir Zelenski tha se 30% e termocentraleve ukrainase ishin shkatërruar nga sulmet ajrore ruse.
Ukrenergo tha se ka pasur më shumë sulme në objektet e energjisë në 10 ditët e fundit sesa në të gjithë periudhën e mëparshme që nga nisja e sulmit rus më 24 shkurt.
Ukrenergo tha se ndërprerjet e energjisë mund të ndodhin “në të gjithë Ukrainën nga ora 7 e mëngjesit deri në 22:00 dhe këshilloi qytetarët të kontrollojnë faqet e internetit të operatorëve të rrjetit rajonal për të parë se ku dhe kur saktësisht.
Ndërprerje sporadike të dritave kanë prekur edhe pjesë të kryeqytetit dhe rajone të tjera, madje edhe qytetin historik në perëndim të vendit Lviv.

