Qeveria plotëson vendimin për strehimin e afganëve në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur të zgjerojë listën e kategorive të personave që do të kërkojnë mbrojtje të përkohshme, që janë të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Në njoftimin thuhet se “Qeveria ka mbajtur mbledhjen e saj të 28-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/26 të datës 16.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.

“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje (16 gusht) ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndjehen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

“Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.