Që nga fillimi i agresionit, hakerë të lidhur me qeverinë ruse kanë kryer qindra sulme kibernetike kundër Ukrainës

Një pjesë e grupeve të hakerëve të lidhur me qeverinë ruse kanë kryer qindra sulme kibernetike kundër Ukrainës që nga fillimi i agresionit nga Moska, tha në një raport të mërkurën gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft.

Raporti shtoi se në taktikat e luftës “hibride”, Rusia shpesh përputh sulmet kibernetike me sulmet ushtarake në fushën e betejës.

“Duke filluar pak para pushtimit, ne kemi parë të paktën gjashtë aktorë të veçantë të shteteve-kombe të lidhura me Rusinë të nisin më shumë se 237 operacione kundër Ukrainës”, tha Microsoft, që po punon me ekspertë ukrainas të sigurisë kibernetike dhe kompani private për të luftuar sulme të tilla.

Në raport thuhet se lufta kibernetike përfshin “sulme shkatërruese që janë në vazhdim dhe kërcënojnë mirëqenien civile”.

Në javën e parë të pushtimit, raporti thoshte se hakerët rusë sulmuan një transmetues të madh mediatik ukrainas në “të njëjtën ditë që ushtria ruse njoftoi synimin e saj për të shkatërruar objektivat e ‘dezinformimit’ të Ukrainës dhe drejtoi një sulm me raketa kundër një kulle televizive në Kiev”.

Raportohet se qëllimi i sulmeve të tilla të koordinuara ishte të “prishnin ose degradonin funksionet e qeverisë dhe ushtarake të Ukrainës dhe të minonin besimin e publikut në të njëjtat institucione”.

Microsoft tha se kishte gjurmuar pothuajse 40 sulmet shkatërruese kibernetike, që kishin në cak qindra sisteme, një e treta e të cilave kishte shënjestuar drejtpërdrejt organizatat qeveritare të Ukrainës në të gjitha nivelet, nga ai kombëtar në atë lokal, ndërsa 40 për qind kishte shkuar pas infrastrukturës kritike.

Disa nga këto ishin të ashtuquajturat “sulmet fshirëse”, të cilat fshijnë të dhënat jetike në sistemin kompjuterik të hakuar.