Protestat në Francë kundër propozimit të reformës së pensioneve

Në Francë sot do të mbahen protesta kundër propozimit për reformën e pensioneve, por pritet një pjesëmarrje më e vogël e qytetarëve, pasi sindikatat, organizatorë të takimit, po përgatiten për protestën e madhe të planifikuar për më 7 mars.

Protestat sot do të mbahen në Paris dhe në qytete më të vogla, si qyteti jugperëndimor i Albit, i cili është kthyer në simbol të qyteteve të vogla me mitingje të mëdha kundër reformës së paralajmëruar të pensioneve.

Pas protestave të së shtunës që tërhoqën 963.000 njerëz në të gjithë Francën,sipas autoriteteve sot priten më pak njerëz.

Sipas burimeve policore, 450.000 deri në 650.000 njerëz priten në të gjithë vendin dhe midis 40.000 dhe 70.000 në Paris.

Ashtu si me protestat e mëparshme që filluan në mes të janarit, do të pezullohet trafiku hekurudhor ndërqytetës dhe periferik, si dhe metroja në Paris.

Aeroporti i Parisit “Orli” tashmë ka njoftuar uljen e trafikut ajror me rreth 30 për qind.

Gjatë asaj kohe, në Dhomën e Ulët të Kuvendit vazhdoi debati për reformat e pensioneve.

Megjithatë, qeveria franceze nuk ka një shumicë absolute në Parlament që reforma e saj të miratohet dhe për këtë arsye mbështetet në mbështetjen e së djathtës tradicionale, por kjo mbështetje nuk është ende e sigurt.

Nga ana tjetër, e majta radikale është kundërshtari më i madh politik i reformës dhe ka përgatitur disa mijëra amendamente për tekstin e propozuar të reformës.

Qytetarët dhe sindikatat janë më të pakënaqurit që reforma propozon kalimin e moshës së pensionit në 64 vjeç, në vend të 62 vjetëve siç ishte deri më tani.