Promovohet filmi i shkurtër dokumentar për Nënë Terezën nga Emin Azemi

Shkup, 26 gusht – Dokumentari i shkurtër “Bashkëjetesa në Maqedoni dhe personazhi dhe vepra e Nënë Terezës” u promovua dje në kuadër të projektit “Themele të përbashkëta”. Me këtë përfundoi ky projekt i cili është në temë: “Promovimi i shpirtit dhe kulturës së kombit shqiptar në krijimin e RMV-së nga ekzistenca e tij e deri tani” dhe paraqet pjesë të festës së 30 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Autori i dokumentarit të shkurtër është profesori Emin Azemi, i cili është njohës i madh i kulturës dhe bashkëjetesës shqiptare në vend.

Në film flitet për sfidat me të cilat përballen qytetarët si pjesë e shoqërisë multikulturore maqedonase, si të rinjtë dinë ta ruajnë traditën, historinë dhe bukuritë e jetës, sesi momentet e vështira që kemi kaluar në 30 vitet e fundit kanë ndikuar në zhvillimin e traditës dhe bashkëjetesës së përbashkët.

Në promovim fjalim pati edhe drejtori i Institutit për trashëgimi shqipërtërore dhe kulturore të shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani.

ITSHKSH ka inicuar, në formë të një elaborati, idenë për ta vendosur nën mbrojtje të shtetit emrin dhe veprën e Nënës Terezes, duke i dhënë vendin e merituar trashëgimisë së saj në kujtesën tonë kolektive.

Arsyet pse kemi inicuar këtë ide, janë të shumta, por me këtë rast po përmendi vetëm dy prej tyre:

“E para – kur një personalitet shpallet i shenjt, qëndrimi ndaj atij personaliteti duhet të jetë shumë korrekt dhe konform normave të mirënjohura që parashihen për raste të tilla. Ne si shoqëri nuk kemi gjithaq përvojë në kultivimin e kulturës së receptimit kolektiv ndaj personaliteteve të tilla, për shkak të rrethanave politike e sociale nëpër të cilat kemi kaluar. Dhe kjo detyrimisht na nxit të gjejmë formën e duhur të kujdesit institucional. E dyta- mungesa e kulturës së receptimit kolektiv ka ndikuar që individë e grupe të ndryshme t’i japin vetes të drejtë të interpretojnë dhe deformojnë biografinë e Nënës Tereze, sipas kritereve jo të qëndrueshme, duke shkaktuar edhe ndasi të panevojshme në shoqëri”, u shpreh Asani.

Duke u nisur nga këto arsye, tha ai, por edhe nga shumë arsye të tjera, ne si Institut, në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, kemi grumbulluar fakte e argumente për ta mbështetur idenë që kjo Shenjtore e jona të vendoset nën mbrotje të shtetit, me ç’rast kemi botuar edhe elaboratin, i cili tash më ndodhet në zyrat kryesore të instucioneve tona dhe së shpejti edhe në zyrat e diplomatëve të huaj që ndodhen në vendin tonë.

Një shoqëri nuk trajtohet nëpër libra të historisë vetëm për shkak të kalurës së saj të pasur. Mbi të gjitha, një shoqëri do të arrij të vendos ura komunkimi në mes të kaluares, të sotmes dhe të ardhmes së saj, vetëm përmes qëndrimit që ndërtojmë ndaj vlerave që transmetohen përmes personaliteteve të caktuara.

“Shenjtorën tonë- Nënën Tereze, brezat që vijnë nuk do ta njihnin sa duhet dhe si duhet, nëse ne që sot nuk e vendosim atë në vendin emerituar në skedat e kujtesës kolektive. Por, kjo mund të bëhet vetëm nëse institucionet shtetëtërore përmes mekanizmave ligjor e mbrojnë emrin dhe veprën e saj dhe i japin një dimension më të thellë përkushtimit ndaj Nënës Terezes”, theksoi Asani.

Edhe dita e sotme që ndërlidhet me ditëlindjen e Nënës Tereze, mund të na shërbejë si një shkas për të reflektuar dhe tërhequr, me veprimet tona, gjithë vëmendjen ndaj kësaj figure kolosale. Shpresoj që kjo vëmendje tash e tutje do të ketë fokusin e merituar në institucionet shtetërore, duke kaluar nga evokimi në materializim të figurës së Nënës Terezës, përmes një kornize juridike e cila do të shpallte atë aset shtetëror nën mbrojtje të ligjit.

Publiku do të ketë mundësi ta shikojë filmin e shkurtër dokumentar ditën e premte në TV 21.