Presidenti rus thotë se lufta në Gaza duhe të përfundojë me krijimin e shtetit palestinez

Presidenti rus Vladimir Putin tha se lufta në Rripin e Gazës duhet të përfundojë me krijimin e një “shteti të plotë palestinez”, duke kërkuar që Katërshja e Lindjes së Mesme të riaktivizohet në mënyrë që të rifillojnë përpjekjet e ndërmjetësimit në rajon, transmeton Anadolu.

“Zgjidhja kryesore për problemin palestinez është krijimi i një shteti të plotë palestinez. Pala ruse e ka mbajtur këtë qëndrim që nga epoka sovjetike”, vuri në dukje ai gjatë një takimi të mbajtur në Moskë me krerët e mediave të vendeve anëtare të BRICS-it.

Putin theksoi riaktivizimin e Kuartetit të Lindjes së Mesme, një grup organizatash ndërkombëtare që përfshin OKB-në, BE-në, SHBA-në dhe Rusinë, për të rifilluar përpjekjet për të ndërmjetësuar në konfliktin izraelito-palestinez dhe për të nisur një proces paqeje.

“Ishte një gabim i SHBA-së që prishi punën e Katërshes. Do të ishte më e lehtë të koordinoheshin të gjitha pozicionet. SHBA mori përsipër, monopolizoi përpjekjet për paqe, duke marrë përgjegjësinë e plotë dhe në fund dështoi”, tha Putin.

Ai theksoi se palestinezët “nuk do të largohen” nga Rripi i Gazës, duke paralajmëruar se kriza humanitare e rajonit vetëm do të rrisë numrin e atyre që janë të vendosur për të “mbrojtur interesat e tyre”.

Putin shtoi se samiti i ardhshëm i BRICS-it në Kazan, nga 22-24 tetor, do të përfshijë diskutime mbi konfliktin izraelito-palestinez, pasi ai mbetet një çështje e rëndësishme globale.

Izraeli që nga 23 shtatori e përshkallëzoi në mënyrë dramatike fushatën e tij masive të bombardimeve në të gjithë Libanin kundër, siç pretendon, objektivave të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.437 njerëz dhe duke plagosur mbi 4.123 të tjerë, si dhe duke zhvendosur më shumë se 1,34 milionë njerëz.

Fushata ajrore paraqet një përshkallëzim nga luftimet ndërkufitare që kanë zgjathur një vit midis Izraelit dhe Hezbollahut, që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës. Më shumë se 42.400 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Izraeli e zgjeroi më tej përshkallëzimin, duke filluar pushtimin e Libanit më 1 tetor.