Premierë e filmit biografik me metrazh të gjatë për aktorin Bajrush Mjaku
Shkup, 11 gusht – Film dokumentar me metrazh të gjatë kushtuar doajenit të skenës teatrore maqedonase dhe shqiptare Bajrush Mjaku do të shfaqet premierë nesër në DokuFest në qytetin e Prizrenit.
Filmi dokumentar i metrazhit të gjatë “101 role, 102 jetë, Bajrush Mjaku” në produksion të Eklips 92, me skenar të Reshat Kamberit dhe regji nga Filip Herin, është film biografik për aktorin Bajrush Mjaku.
Në vijim janë aplikime aktive në shumë festivale ndërkombëtare. Filmi mbështetet nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Aktori Bajrush Mjaku ka lindur në Kaçanik, Kosovë në vitin 1952. Në mesin e viteve të 60-ta ka ardhur në Shkup dhe këtu mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Si nxënës i shkollës së mesme, ai filloi të aktrojë dhe të luajë disa role në dramën e atëhershme shqiptare, në Teatrin Shqiptar në Shkup.
Në Prishtinë ka studiuar art dramatik në Shkollën e lartë pedagogjike në klasë të profesorëve si Faruk Begoli dhe Bekim Fehmiu. Aktor profesional u bë në vitin 1973.
Me sukses të madh i realizoi personazhet e Mbreti Lir (King Lear, Shakpir), Leni smoll, (Minjtë dhe Njerëz, Shtajnbek), Daja Vanja, (Daja Vanja, Çehov), Kapiten Adolf, (Babai-Strindberg), Gjeneral, (Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kadare), Baal, (Baal, Breht), Sokrati, (Sokrati, Platoni), Dr. Stokman, (Armiku i Popullit, Ibsen), Peer GYNT III, (Peer GYNT, Ibsen), Poprishkin, (Ditari i të çmendurit, Gogol) dhe shumë të tjerë.