Platforma për Bashkëpunim Rajonal në Kaukazin Jugor bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Lindjen e Mesme
Platforma për Bashkëpunim Rajonal në Kaukazin Jugor (3+3) ka publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit të mbajtur në Istanbul, raporton Anadolu.
Në takim morën pjesë ministri i jashtëm turk Hakan Fidan, ministri i jashtëm i Azerbajxhanit Ceyhun Bayramov, ministri i jashtëm armen Ararat Mirzoyan, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov.
Gjatë takimit, ministrat rikujtuan rëndësinë e takimeve të Platformës së Bashkëpunimit Rajonal 3+3 që më parë u mbajtën në Moskë dhe Teheran.
Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e mbledhjes së Platformës sërish në vazhdën e ngjarjeve aktuale komplekse që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, duke vendosur të thellojnë më tej bashkëpunimin në formatin 3+3.
Duke vënë në dukje rolin që luan bashkëpunimi ekonomik rajonal në vendosjen e besimit, prosperitetit dhe stabilitetit rajonal, ministrat vendosën të shqyrtojnë më tej mundësitë e bashkëpunimit në fushën e transportit, komunikacionit, tregtisë, energjisë dhe investimeve.
Ministrat theksuan gjithashtu rëndësinë e parimeve të Kartës së OKB-së në dritën e nevojës për marrëdhënie të mira fqinjësore që rezultojnë nga përpjekjet e përbashkëta për arritjen e interesave të përbashkëta, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, respektimin e sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit territorial.
Platforma e Bashkëpunimit Rajonal të Kaukazit Jugor gjithashtu dënoi ashpër shkeljen e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare në Lindjen e Mesme.
Deklarata bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, fundin e të gjitha sulmeve dhe ofrimin e ndihmës humanitare në Lindjen e Mesme.
Platforma për Bashkëpunim Rajonal të Kaukazit Jugor (3+3) është iniciuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan. Takimi i parë i këtij formati u mbajt në Moskë në dhjetor 2022 në nivel zv/ministrash të Jashtëm dhe i dyti u mbajt në tetor 2023 në Teheran.