PL: Shqipëria – fuqi eksportuese, prioriteti i pestë madhor i yni

Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë në një deklaratë për mediet sot ka theksuar rëndësinë e programit të partisë për transformimin e Shqipërisë në një fuqi eksportuese.
Blushi e quajti këtë si një nga prioritetet më të rëndësishme të PL-së dhe një hap vendimtar për zhvillimin e vendit.
“Shqipëria Fuqi Eksportuese, prioriteti i pestë madhor i Partisë së Lirisë, është Shqipëria Madhështore, që do të ndërtojmë së bashku me shqiptarët e sidomos me prodhuesit e ndershëm, pas 11 Majit. Ky objektiv i Partisë së Lirisë, do të arrihet nëpërmjet realizimit të 4 prioriteteve të tjera: Ndalimi i shpopullimit; Dyfishimi i pagave dhe pensioneve; Arsimi dhe fuqizimi i kapitalit njerëzor; Fuqizimi i Bujqësisë dhe Ushqimit; që tanimë janë pjesë integrale e programit të koalicionit fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore””, tha Blushi.
Blushi shtoi se “vetëm rritja e qëndrueshme e eksporteve do të kontribuojë në ritme relativisht të larta të rritjes së të ardhurave kombëtare dhe në ndërtimin e Shqipërisë Madhështore që meritojnë të gjithë shqiptarët. Vetëm duke votuar më 11 maj për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mbështetja e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese do të arrijë në nivelin 50 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Blushi tha se “vota për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është jo vetëm votë kundër modelit të Narkoekonomisë dhe kundër Narkoeuros, por është një votë pro prodhimeve “Made in Albania”, është votë pro modelit që mbështet prodhimin vendas dhe garanton shitjet në tregjet ndërkombëtare të produkteve të tyre, është votë që mbështet fermerët punëtorë dhe duarartë të Korçës, të Myzeqesë, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, që prej 12 vitesh detyrohen të hedhin në kanal mundin, djersën dhe sakrificat e tyre, duke parë si të vetmen zgjidhje largimin nga vendi”.
“Shqipëri Madhështore do të thotë Shqipëri Fuqi Eksportuese, dhe kjo do të realizohet falë programit tonë që synon: Rritjen e investimeve në arsim dhe kujdes shëndetësor për të rritur kapitalin njerëzor dhe konkurrencën në industri me rritje të shpejtë dhe me vlerë të lartë si bio-teknologjia, inxhinieria, financa, mjekësia Rritjen e investimeve në infrastrukturë moderne kritike për të mbështetur bizneset dhe industritë e përfshira në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, do të jepet “mbështetje për standardizimin e produkteve dhe markave të prodhimit në dobi të zhvillimit të biznesit shqiptar në përgjithësi. Humbja e sigurtë më 11 maj e Organizatës Kriminale do të jetë një çlirim për të gjithë vendin”.