Pezullohen nga detyra dy punonjës policie, për kryerjen e veprimeve që cenojnë figurën e punonjësit

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezulloi nga detyra 2 punonjës policie për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë.

Në një njoftim për shtyp, Policia theksoi se pezullimet u vendosën pas nisjes së hetimeve disiplinore për punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për shkelje të “Përdorimit të statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët” dhe  “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

Sipas Policisë,  A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.

Gjithashtu Policia vendosi pezullimin për punonjësin e Policisë, Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, për shkelje të  “Kryerjes së veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

Policia sqaron se më 21 shkurt dyshohet se shtetasi K. Gj. ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, me pretendimin se i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona dhe, gjatë konfliktit, kishte ofenduar bashkëshorten e shtetasit K. Gj., e cila ishte punonjëse e marketit.

Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj tyre.

Leave a Reply