Petrovska: E mbështesim politikën e dyerve të hapura të Aleancës

Shkup, 16 maj – Qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si vend më i ri anëtar i Aleancës së NATO-s sa i përket zgjerimit është i qartë, ndërsa kjo është se e mbështesim politikën e dyerve të hapura të Aleancës. Kjo nënkupton se gjithmonë kur ndonjë vend do të shprehë së pari vullnet të bëhet anëtar i Aleancës, ne këtë e pranojmë, por duhet të ndiqet procesi i anëtarësimit të tij dhe në atë moment kur vendi do t’i përmbushë kushtet që të jetë vend anëtar i Aleancës, është i mirëseardhur.

Kjo është përgjigjja e ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në pyetjen e gazetarëve sa i përket paralajmërimeve për zgjerim të NATO-s me vende të reja anëtare, për çka ajo vlerësoi se është plotësisht e pritshme duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në tokën evropiane me çka, theksoi, të gjithë jemi të shqetësuar.

“Zgjerimi i Aleancës së NATO-s nuk duhet të përfaqësojë kërcënim për askënd, por përkundrazi mendoj se kjo është vlerë plotësuese për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në territorin e Aleancës së NATO-s, por edhe në botë, sepse NATO-ja është aleancë politike ushtarake, megjithatë para së gjithash e dimë se bazohet në politikën e kthimit dhe të garantimit të sigurisë”, deklaroi ministrja Petrovska në konferencën e sotme për media në kazermën e Shkupit “Ilinden”, në të cilën informoi për Planin për standarde më të larta ekologjike në mbrojtje “Eko-mbrojtje”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Petrovska informoi se në kuadër të aktiviteteve të planifikuara vjetore të NATO-s, ushtarët tanë marrin pjesë në stërvitje, ndërsa ajo që është marrë si vendim vitin e kaluar është pjesëmarrja e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut në kontingjentin e Letonisë.

“Ata duhet të shkojnë tashmë gjatë qershorit. Pjesëmarrja jo vetëm në këtë mision, por edhe në përgjithësi në të gjitha misionet dhe stërvitjet në NATO konsiderohet si përforcim edhe i kapaciteteve tona nacionale sepse përfaqëson mundësi të shkëlqyer për bashkëpunim të pjesëtarëve të armatës sonë, me homologët e armatave të tjera”, theksoi ministrja Petrovska.