Petkoviq: S’kemi marrëveshje për targat
Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka mohuar të jetë arritur ndonjë marrëveshje me Kosovën për çështjen e targave.
Ai ka thënë se i demanton “fuqishëm” raportimet e televizionit publik serb RTS se është arritur ujdia me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
“Do të doja të mohoja fuqishëm publikimin e një lajmi absolutisht të rremë që është shfaqur jo vetëm në portalin e shërbimit publik serb, por edhe në emisionin e tyre kryesor të lajmeve, në edicionin e mëngjesit, ku thuhej se mbrëmë vonë kam rënë dakord me Bislimin për të zgjatur vlefshmërinë e targave ekzistuese KM për 10 muaj, dhe pastaj të kalohet në targa RKS, si dhe Asociacioni do të diskutohet në kuadër të propozimit franko-gjerman”, tha Petkoviqi.

