Përfundoi pushimi dimëror, rikthehen nxënësit sa janë të përgatitura shkollat?
Shkup, 21 janar – Fundi i janarit është edhe fundi i pushimit dimërorë. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme rikthehen në banka për të vijuar me procesin arsimor. Por, për t’i pritur nxënësit duhet përgatitje e posaçme në shkolla. Përpos pastrimit dhe higjienës që duhet të jetë në nivelin e duhur tani meqë jemi në stinën dimërore duhet të ketë kujdes të veçantë edhe me nxehjen e objekteve shkollore. Agjencia e Lajmeve Zhurnal kontaktoi me drejtoren e shkollës së mesme në Kumanovë, për ta pyetur nëse janë gati për vazhdimin e këtij viti shkollor, shkruan Zhurnal.
Sa janë gati shkollat për t’i pritur nxënësit?
Stina e dimrit zakonisht është sfiduese për shkollat e vendit që fillojnë gjysmëvjetorin e dytë sepse nuk janë në gjendje të garantojnë ngrohjen e objekteve shkollore në nivelin e duhur. Meqë flasim edhe për stinën kur gripet e viruset shpërndahen masivisht është e nevojshme që edhe niveli i higjienës të jetë në stadin e duhur.
Që shkollat si vende edukimi mos të shndërrohen në vatër për përhapjen e gripave e viruseve të ndryshëm. Pra, të jenë nxënësit e sigurt në vendet ku duhet të edukohen e arsimohen. Por, si qëndron në të vërtetë gjendja në shkollat e vendit tonë.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka kontaktuar drejtoreshën e shkollës së mesme Teknike në Kumanovë, Adelina Beluli, e cila tha se shkollat të cilën drejton përgatitjet për fillimin e mësimit më 20 janar ka më shumë se një javë që po përgatitet për t’i pritur nxënësit ngjashëm sikurse kanë përcjellë në fund të dhjetorit.
“Në shkollën tonë ka programe të shumta mësimi që për rezultat kemi edhe numër të madh të nxënësve, sigurisht që edhe përgjegjësia jonë është e të njëjtit nivel. Pra, me përgjegjësi të plotë jemi angazhuar maksimalisht, pra, për mësimdhënësit e për neve si staf drejtues i shkollës pushimi ka qenë më i shkurt në mënyrë që të përgatitemi në formën më të mirë të mundshme për një fillim të mbarë”, tha drejtoresha Adelina Beluli për Zhurnal.
Sa i përket nxehjes në këtë shkolla Beluli shprehet që është paksa problematike për shkak të barakave që nuk kanë izolimin adekuat, por me gjithë potencialin që kanë si shkollë mundohen të krijojnë ambient sa më të ngrohtë për nxënësit.
“Po është problem i përvjetshëm që përsëritet çdo vit në shkollën tonë përshkak të objektit të stërvjetruar dhe jo adekuat për të vijuar mësimin, pra, po flas për barakat, por mundohemi t’ia dalim në formën më të mirë të mundshme. Tani flasim për shkollë të mesme që nxënësit janë edhe më të rritur edhe në gjendje që ta kuptojnë edhe gjendjen reale të objektit ku vijojnë mësimin”, përfundoi Beluli për Zhurnal.
Kujtojmë që, gjysmëvjetori i dytë ose në përgjithësi viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor. Pushimi pranveror që e shijuan vitin e kaluar nuk ekziston më për shkak se kështu vendosi ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevska me arsyetimin se këtë e kërkuan prindërit dhe nxënësit në një anketë të realizuar nga MASH. E sa është i drejt apo jo ky vendim mbetet të kuptohet kur do të vijë koha e këtij pushimit, nëse do ta kërkojnë mësimdhënësit e nxënësit sërish. /Zhurnal.mk

