Përfundoi debati për Raportin e Komisionit Evropian për vendin për vitin 2021

Shkup, 6 maj – Në Kuvend, në kuadër të seancës së 57-të, përfundoi debati për Raportin e Komisionit Evropian për vendin për vitin 2021.

Për deputetët e opozitës, ky raport ka notën më të keqe deri tani dhe është një pasqyrim real i gjendjes së keqe në të gjitha fushat në vend. Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, njerëzit e paaftë po e çojnë vendin në drejtim të gabuar. Deputetët e shumicës nga ana tjetër, theksuan se vërehet se ka progres në të gjithë kapitujt apo grupimet dhe se situata është shumë më e mirë se në kohën e qeverisjes së opozitës aktuale.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, vlerëson se niveli i gatishmërisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është më i larti në rajon dhe, siç tha, raporti premton fillimin e negociatave me BE-në. Problemi i vetëm, theksoi Mariçiq është vetoja nga Bullgaria.

Deputeti Panço Minov theksoi se në raport vërehet polarizimi i madh politik, i cili ndikon në funksionimin e dialogut politik në dhomën ligjdhënëse, i cili duhet të punojë me intensitet të shtuar në drejtim të realizimit të veprimtarisë ligjdhënëse.

“Në këtë aspekt, besoj se si deputetë na mbetet në punën dhe vendimmarrjen tonë, në të ardhmen ta kryejmë më shumë funksionin që kemi, tha Minov, duke shtuar se me miratimin e ligjeve më të mira, deputetët do të kontribuojnë për funksionim më të mirë të veprimtarisë legjislative.

Ai theksoi se duhet të rishqyrtohet zgjedhja e miratimit të ligjeve me procedura të shkurtuara.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski, tha se raporti është një udhërrëfyes ku vendi duhet të lëvizë për të arritur standardet evropiane dhe një ditë të bëhet anëtar i BE-së. Ai theksoi se ky raport vlerësohet me notën më të ulët dhe se qeveria me, siç tha, “shpërthimet e saj, krijon kushte të reja që nuk kanë qenë të vlefshme për vendet e tjera, për shkak të koncesioneve ndaj Greqisë, ndërsa tani paralajmërohen koncesione edhe ndaj Bullgarisë.”

Ajo që më shqetëson është se vlerësimi nga BE-ja është në rënie të vazhdueshme, tha Zdravkovski.

Deputetja e LSDM-së, Daniela Koleva, në përgjigje për Zdravkovskin tha se deputetët e opozitës i zgjedhin vërejtjet në Raport dhe se nuk përmenden fushat për të cilat është bërë përparim.

“Pse nuk thatë që në raportet e mëparshme shkruhej se mediat janë në kurth, shkruhej se ka një polarizim të fortë te qytetarët dhe u vu re se ka ndërhyrje të mëdha politike në të gjitha institucionet. Është shkruar se ka një shkallë të ulët të inovacionit dhe konkurrencës në ekonomi. Është shkruar se ka represion në të gjithë vendin dhe shumë gjëra të tjera që kanë ndikuar në kthimin e vendit”, tha Koleva.

Pas përfundimit të debatit për Raportin e Komisionit Evropian për vendin për vitin 2021, nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, e ndërpreu seancën e 57-të. Për vazhdimin e saj edhe për pikat e tjera deputetët do të njoftohen shtesë.