“Për uljen e çmimit të bukës 10% janë mbajtur 10 konferenca për media”, sa lehtëson kjo jetën e qytetarëve?
Shkup, 30 nëntor – Konferenca të njëpasnjëshme, sa Kovaçevski e sa Bekteshi për kumtim të lajmit “megaloman” për një ulje prej 10% të produkteve bazë: bukës, qumështit dhe mishit. Mbase, ky paralajmërim ka filluar nga tetori, që i bie dy muaj më herët për këtë masë e cila do të hyjë në fuqi nga nesër, më 1 dhjetor. Mirëpo, kur flasim për një rritje të hatashme të çmimeve, pothuajse 50% rritje, tani kur kemi një zbutje me ulje prej 10%, sa do të ndikojë kjo në lehtësimin e jetës së qytetarëve?. Kjo tregon se kemi të bëjmë më shumë për një “shfaqje” që kinse Qeveria po merr masa që ndihmojnë qytetarët, por realiteti është ndryshe sepse 10% ulje pas 50% rritje të çmimeve nuk është ndihmë reale, shkruan Zhurnal.
Buka nga 40 denarë do të ulet në 36 denarë, a mund të konsiderohet ndihmë kjo për qytetarët?
Kur flasim për ndihmë që ofron Qeveria nuk duhet të mendohet për ndihmë humanitare që ofrojnë organizatat e huaja, por kemi të bëjmë me ndihmë të patjetërsueshme që bëhet nga buxheti i qytetarëve. Prandaj, ndihmat e kësaj natyre që për 10% ulje të çmimeve të mbahen 10 konferenca për shtyp nga kryeministri i vendit dhe ministri i Ekonomisë, kjo më shumë reflekton si tallje se sa ndihmë reale.
Nga kjo ulje e çmimeve qytetarët që blejnë dy bukë në ditë, në xhepin e tyre do të kenë 8 denarë më shumë se ditëve tjera, e kjo pastaj të konsiderohet si ndihmë është qesharake, sepse me thellimin në krizën ekonomike çmimi i bukës ka pasur rritje prej më shumë se 50%, dhe tani kjo ulje 10% është sipërfaqësore, dhe “reklamë” qeveritare.
Ndryshe, çdo ndihmë është e mirëpritur nga qytetarët sepse kemi të bëjmë me një situatë ku ndihmat janë jetike për të dalë nga kjo krizë dëmtuese, por më e duhura do të kishte qenë nëse ndihmat të jenë serioze dhe me të vërtetë me ndikim të dukshëm e të prekshëm në xhepat e qytetarëve, e jo ndihma sipërfaqësore apo simbolike.
Qytetarët mund të ndihmohen edhe duke larguar TVSH për produktet bazë gjatë fundjavës-
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka dorëzuar propozim-ligj me të cilin kërkon të hiqet TVSH-ja për produktet ushqimore gjatë fundjavës, me të cilin ulja e çmimit të produkteve ushqimore do të jetë 5 për qind, duke filluar që nga kjo fundjavë. Dafina Stojanovsa, deputete e VMRO-së thotë se masat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme dhe efekti i tyre do të jetë i vonshëm. Ndërkohë, ajo njofton se do të propozojnë edhe ndryshim të ligjit për tatimin e vlerës së shtuar për ta hequr TVSH-në nga drunjtë për ngrohje dhe peletat.
Nga ana tjetër, i pari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski vazhdon ta përsëris premtimin e tij se ushqim, ngrohje dhe rrymë do të ketë për çdo familje në kohë të trizës. Sipas tij, qeveria është fokusuar në investime në sektorin energjetik, që më lehtë të përballet me krizën.
“Kam premtuar dhe do ta realizojmë këtë premtim, se ushqim, rrymë dhe ngrohje do të ketë për çdo familje. Qeveria është e fokusuar në investimet në sektorin energjetik. Kemi rritur prodhimin e energjisë elektrike që të plotësojmë nevojat e konsumatorëve”, ka thënë Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Por, ajo që është bazike tani të bëhet sa më e përballueshme jeta për qytetarët sepse me këtë situatë të krijuar çdo i ri do të largohet i dëshpëruar, nga kriza e thellë në të cilën vendi është kapluar. Prandaj, qeveria duhet ta mendojë mirë këtë propozim ligj i cili ndikon në mënyrë direkte në xhepat e qytetarëve që gjatë fundjavës kur do të furnizohen të paktën me produktet bazë ushqimore të kenë lirime.
Duhet bërë e qartë që këto ndihma nuk i mundësojnë qytetarëve të bëjnë kursime, por me ato paga të ulëta mundësohet të kompletohet një muaj të paktën nga ana ushqimore të mos ketë mungesa për gjërat elementare bazike.
Kujtojmë që, edhe para dy viteve kishte një propozim të ngjashëm atë kohë nga qeveria në vitin 2020, e që për ironi atë kohë opozita e kishte kundërshtuar duke deklaruar se një ligj i tillë do të ndikonte në grumbullimin masiv të qytetarëve në fundjavë dhe kjo me automatizëm do të ndikonte në shtimin e shpërndarjen e virusit Covid19.
Në tre ditët e fundjavës së zgjatur, qytetarët që do të blejnë produkte vendore kanë marrë kthim të TVSH-së prej 18 për qind, kurse për pajisjet e IT-së, TVSH-ja është 5 %. Përfitim nga “Fundjava pa TVSH” kishin vetëm qytetarët që skanojnë faturat fiskale, përkatësisht e kanë aplikacionin “TVSH-ja ime”. Qytetarët mund të bëjnë kthim të TVSH-së për shumën totale të faturave deri në 30 mijë denarë.
Kjo praktikë e përdorur dy vite më parë ka rezultuar produktive për qytetarët edhe tani këtë propozim ligj e mirëpresin si të nevojshëm dhe shihet si një përpjekje reale për të ndihmuar, jo vetëm kamuflim me fjalë pa bërë asnjë ndryshim në këtë drejtim. /Zhurnal.mk

