Për gjuhën shqipe shumë po flitet e pak po veprohet
Shkup, 1 nëntor – Kur po flitet për ndryshime kushtetuese veçanërisht për largimin e 20 përqindëshit nga Kushtetuta e RMV-së, ku populli shqiptarë identifikohet me përqindje, edhe përkundër faktit që po i njëjti është shtet formues. Nuk dihet nëse tani gjuha shqipe do të përplasë partitë politike shqiptare në pushtet dhe opozitë, apo do t’i bashkojë për një kërkesë e nevojë të tillë. Ndërkaq, po në këtë kohë kanë filluar sinjalet e para që të gjitha partitë politike njëzëri janë pro një ndryshimi të tillë, por që një koordinim gjithëpërfshirës ende nuk është parë deri në këto momente. Pra, një bashkim e një qëndrim i unifikuar nga politikanët shqiptarë në RMV tani do të kishte rezultuar me realizimin e këtij ndryshimi që do të kthente dinjitetin e gjuhës shqipe, shkruan Zhurnal.
Për gjuhën shqipe e këtë problematikë edhe më herët është folur e diskutuar. Por asgjë konkrete në këtë drejtim nuk është vepruar. Prandaj, tani është momenti që falë bullgarëve edhe gjuha shqipe të riaktualizohet dhe të ketë një epilog përfundimtar njëherë e përgjithmonë.
A do të bashkohen 33 deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut për të kërkuar largimin e atij turpit dhe ofendimit ku shenjë identifikuese për shqiptarët është përqindja?. Mbetet të shihet ditëve në vijim, mirëpo ajo që populli e kërkon dhe ka nevojë çdoherë në këso situata nuk do mend që është bashkimi dhe unifikimi për realizimin e këtij qëllimi. I cili nuk është në dëm të askujt, por në dobi të popullit shtetformues që diskriminohet publikisht e qëllimisht.
Partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues i kanë kushtëzuar me ridefinimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe në Kushtetutë njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë. Kujtojmë që, ndryshimet kushtetuese bëhen me dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa janë të gjithë.
Qeveria aktuale përbëhet nga 63 deputetë dhe pa mbështetjen e opozitës nuk do të mund të miratohen ndryshimet, që janë të domosdoshme pasi parashihen në Marrëveshjen me Bullgarinë për bisedimet e integrimit evropian.
Cili është qëndrimi i partive politike shqiptare për këtë çështje?
Aleanca për Shqiptarët si partia më e madhe opozitare ka 7 deputet, që bashkë me Lëvizjen Besa si parti e dytë opozitare shqiptare kanë 10 deputet, që i bie me përkrahjen e dy partive opozitare bëhen 73 deputetë, numër që është i pamjaftueshëm për të realizuar ndryshimet e duhura. Nevojiten edhe 7 deputetë të tjerë. Këto dy parti politike shqiptare opozitare kanë deklaruar që do të votojnë për ndryshime kushtetuese me kusht që të largohet njëherë e përgjithmonë referimi 20 për qind nga Kushtetuta për gjuhën shqipe dhe shqiptarët.
Edhe nga BDI, partia më e madhe shqiptare në pushtet janë shprehur se janë për ndryshimin e përkufizimit të shqiptarëve në Kushtetutë.
Por, ajo që ata thonë në mënyrë deklarative tani është momenti ta dëshmojnë praktikisht, në inicimin e kërkesës, sigurisht edhe dakordimi me partitë politike maqedonase të cilët pa këto parti shqiptare as njëra e as tjetra nuk mund të bëjnë qeveri.
Pra, vullnet ka sepse nuk flitet për realizim dëshirash por për përmirësim diskriminimesh që bëhen me vite të tëra, prandaj të dëshmohet ai vullnet duke krijuar shumicën e nevojshme.
Gjuha shqipe është gjuhë e ëmbël, prandaj nuk duhet të krijojë ashpërsim ndaj askujt me askënd, por bashkim e dakordim që edhe populli shtetformues mos të ndjehen të përjashtuar duke u identifikuar me numra.
Kujtojmë se, çështja e ndryshimeve kushtetuese posaçërisht për largim të 20 përqindëshit nga Kushtetuta u diskutua pasi u publikuan edhe rezultatet nga regjistrimi i fundit të realizuar vitin e kaluar. Sipas, Entit për statistikave të Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, të realizuar vitin e kaluar nga 5-31 shtator 2021, sa i përket përqindjes së banorëve rezident në vend, 58,44 për qind janë maqedonas (1.073.299), 24,3 për qind shqiptar (446.245), 3,86 turq (70.961), 2,53 romë (46.433), 1,3 për qind serbë (23.847), 0,87 boshnjakë (16.047) dhe 0,47 vllahë (8.714).
Ndërsa për sa i përket përqindjes të banorëve jo rezident, 24,45 për qind janë maqedonas (63.731), 66,36 për qind shqiptar (172.942), 4,79 për qind turq (12.482), 1,02 për qind romë (2.671), 0,35 për qind serb (912), 0,81 për qind boshnjak (2.121) dhe 0,19 për qind vllah (494).
Këto rezultate dëshmojnë qartazi se askund dhe për askënd nuk figuron 20%, pra ky numër figuron vetëm në Kushtetutë, dhe aty nuk përfaqëson askënd vetëm se ofendon. Prandaj nevoja për largimin e kësaj nga Kushtetuta është e domosdoshme. /Zhurnal.mk