Pendarovski takon Majk Zafirovskin dhe përfaqësues të “Maqedonia 2025”

Shkup, 20 maj – Presidenti Stevo Pendarovski në Kabinetin e tij sot kishte takim me Majk Zafirovskin, bashkëthemelues i “Maqedonia 2025” dhe me përfaqësues të organizatës në të cilin u bisedua për konkluzionet dhe për reagimet e para nga edicioni i 11-të i samitit të “Maqedonia 2025”, në të cilin në fokus ishin transformimi i përshpejtuar digjital, bashkëpunimi rajonal dhe inovacionet.

Pendarovski e falënderoi Zafirovskin dhe anëtarët e tjerë të “Maqedonia 2025” për angazhimin e tyre për kontributin në ekonominë vendore, duke nxitur gjenerata të reja të liderëve në biznes, të nevojshme për zhvillimin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, njoftoi Kabineti i tij.

Bashkëbiseduesit në takim, siç bëhet e ditur në kumtesë, shprehën bindjen se “Maqedonia 2025”, bashkë me institucionet shtetërore, me sektorin qytetar, bashkësinë akademike dhe bashkësinë e biznesit mund të kontribuojnë për tejkalimin e sfidave bashkëkohore ekonomike në shtetin tonë.

Në takim, shefi i shtetit ia ka dhënë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut Majk Zafirovskit. Zafirovski është biznesmen i suksesshëm botëror, me origjinë nga Maqedonia e Veriut i cili jeton dhe punon në SHBA. Bashkë me biznesmenë të tjerë nga diaspora është themelues i organizatës “Maqedonia 2025″, e cila ka për qëllim që ta nxisë zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut”.