Pendarovski – Shalenberg: BE të mundësojë fillimin e menjëhershëm të negociatave

Shkup, 10 maj – BE-ja duhet të mundësojë fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, në kontekst të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, tha presidenti Stevo Pendarovski në takimin me ministrin austriak të Punëve të Jashtme, Aleksandar Shalenberg, i cili sot qëndron në vizitë njëditore në vend.

Siç kumtuan nga kabineti i Presidentit, në takim u bisedua për prioritetet e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, në dritën e tejkalimit të sfidave në rrugën evropiane, si dhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë.

“Në kuadër të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, presidenti Pendarovski tha se është e nevojshme që institucionet e BE-së të veprojnë shpejt në politikën e zgjerimit dhe të mundësojnë fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë dialogun me Bullgarinë, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, të arsyeshme dhe dinjitoze dhe për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian, thuhet në deklaratë.

Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe konsekuente të Austrisë, siç thotë ai, një prej aleatëve dhe partnerëve më të afërt në rajon, e cila me zë të lartë angazhohet për integrimin e saj në Union.

Lidhur me agresionin ushtarak rus dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për masat politike dhe ekonomike të marra në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe për ndihmën humanitare dhe pritjen e refugjatëve nga Ukraina.

Në takim u theksua se marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes dy vendeve reflektohen në bashkëpunim konkret në disa fusha dhe u shpreh gatishmëria për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe afirmimin e vlerave të përbashkëta evropiane për stabilitet dhe prosperitet në kontinentin evropian, qëndron në kumtesë.