PE-ja kërkon sanksione për përgjegjësit për vrasjen e iranianes së re Mahsa Amini

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, në rezolutën e miratuar sot, kanë bërë thirrje që të sanksionohen zyrtarët iranianë të përfshirë në vrasjen e Mahsa Aminit.

Vajza 22-vjeçare vdiq më 16 shtator në një spital në Teheran, tre ditë pas arrestimit të saj sepse”nuk e kishte vendosur  hixhabin sipas rregullores”.

Dëshmitarët pohojnë se policia e ka çuar Aminin në një automjet, ku ajo është rrahur.

Protestat për vdekjen e saj janë mbajtur çdo natë që nga 16 shtatori. Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për të ndaluar përdorimin e forcës ndaj protestuesve, autoritetet vazhdojnë t’i trajtojnë ashpër, shkruajnë disa nga mediat botërore.

Eurodeputetët dënuan vdekjen e saj dhe i bënë thirrje Bashkimit Evropian që të sanksionojë vrasësit e vajzës së re Amini, si dhe të gjithë ata që morën pjesë në shtypjen e dhunshme të protestave me viktima të shumta.

Një thirrje i është bërë Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara për të hetuar zhvillimet e fundit në Iran.